Arbëri

Escobar për Kurtin: Është koha për qasje të re për ata që e kanë marrë dialogun vetëm ‘po apo jo’

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka thënë se ka ardhur koha për një qasje të re për ata që e kanë marrë dialogun si opsion të vetëm “po apo jo”, duke aluduar në kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës të enjten, Escobar është shprehur se Qeveria e Kosovës e ka detyrimin e qartë se çfarë duhet të bëjë dhe se janë ata që duhet të ndryshojnë dhe jo lehtësuesit e dialogut. 

“Nëse do të më duhej të thoja diçka, nuk do të jetë për një përqasje të re nga partnerët brenda dialogut. Ka ardhur koha për një përqasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm ‘po apo jo’. Dhe e kam fjalën konkretisht për Qeverinë e Kosovës. Ata kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë. Dhe mendoj se deklarata e Borrellit ishte shumë e qartë”, ka thënë ai.

Escobar ka inkurajuar Serbinë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por “gjithashtu vazhdojmë t’i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës”.

“Do të duhet të vazhdojmë të punojmë me dialogun. Nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë për rajonin përveç integrimit evropian”, ka shtuar ai.

Për kritikat ndaj Lajçakut nga kryeministri Kurti, Escobar ka përsëritur se ndërmjetësuesi i BE-së gëzon besimin e plotë të bllokut evropian dhe të SHBA-së. Ai duke iu referuar Kosovës thotë se një vend me një milion e gjysmë banorë nuk mund ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionë banorësh të ndryshojë taktikat e tij.

“Lajçak gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës”, ka thënë Escobar.

Escobari tutje ka thënë se ka qenë i alarmuar me sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës, duke shtuar se i ka kërkuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, dhe kryeministrit Kurti që t’i dënojnë ato.

“Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga Qeveria e Kosovës, por Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme”, ka thënë ai.