Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Baliqi: Escobar e Lajçak do të vijnë me kërkesa të qarta e rigoroze te Kurti

Profesori i shkencave politike, Bekim Baliqi, ka thënë se i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në takimin që sonte pritet të mbajnë me kryeministrin Kurti, do t’i bartin atij mesazhet e dërguara nga kancelari Olaf Scholz e presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe shteti amerikan.

Ai ka theksuar se në këtë situatë, të cilën ai e ka quajtur alarmuese, emisarët do të vinë me kërkesa rigoroze.

Në një intervistë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ai ka thënë se pret që këtë radhë kërkesat të jenë specifike dhe konkrete, përfshirë atë për shkuarjen në zgjedhje të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

“Besoj që do të jetë një afatizim, konkretizim i kërkesave edhe për shkuarje në zgjedhje, mendoj që do të ketë zgjedhje të reja në veri, por gjithashtu edhe hapa konkret në realizmin të marrëveshjes së Ohrit, besoj që kësaj herë do të jenë më specifik edhe në data edhe në realizim të kërkesave”, është shprehur Baliqi.

Sipas tij rruga më e mirë për të dalë nga situata është që kryetarët e ri të katër komunave në veri të Kosovës të japin dorëheqje e që ato komuna të shkojnë në zgjedhje të reja.

Edhe Escobar për Kurtin: Është koha për qasje të re për ata që e kanë marrë dialogun vetëm ‘po apo jo’ Arbëri Escobar për Kurtin: Është koha për qasje të re për ata që e kanë marrë dialogun vetëm ‘po apo jo’

Ai ka thënë se palët do të njoftohen edhe me mundësitë e sanksionimit nëse këto kërkesa nuk plotësohen.

Sipas Baliqit presioni ndaj Kosovës nga ndërkombëtarët është dhe do të jetë në rritje, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

“Është hera e parë që Kosova gjendet në bankën e të akuzuarve nga të gjithë aleatët tanë dhe nga shtypi ndërkombëtarë, dhe në duhet të reflektojmë për këtë, dhe duhet parë, jo me kokëfortësi se kush dhe si ka të drejtë, por si të dilet nga kjo situatë, dhe zgjidhja është ofruar edhe nga faktori ndërkombëtarë edhe nga OSBE-ja e që është të përgatiten kushtet për zgjedhje të reja”, ka theksuar Baliqi.

Ai ka thënë se mendon që përjashtimi i Kosovës në “Defender 2023” nuk është ndonjë sanksion i ashpër, por se është një sinjal i qartë që tregon se nëse palët nuk punojnë për shtensionim të situatës do të ketë pasoja.

Sipas Baliqit nuk ka nevojë që me këmbëngulësi Kosova të vazhdojë ta mbajë Njësinë Speciale të Policisë atje.

Ai gjithashtu ka thënë se vetë vizita të cilën Escobari e Lajçaku pritet që të martën ta zhvillojnë në Beograd, është sinjal i qartë që as Serbia nuk do të tolerohet e t’i shmanget përgjegjësisë.

“Nëse ka fjalë të ashpra në Prishtinë, do të ketë edhe fjalë të ashpra në Beograd”, është shprehur Baliqi.

Ai ka thënë se mësimi që Kosova duhet të marr nga ngjarjet e fundit në veri është që të mos marrë hapa që nuk janë në koordinim me aleatët ndërkombëtarë.

Edhe Lajçak pas takimit me Kurtin: Ka mirëkuptim për tri pikat e paraqitura nga BE-ja Arbëri Lajçak pas takimit me Kurtin: Ka mirëkuptim për tri pikat e paraqitura nga BE-ja

Baliqi ka thënë se pret që shumë shpejt kushtet për një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq do të krijohen së shpejti.

Gjithashtu ka theksuar se është koha që Kosova të ofrojë draft-statutin për Asociacionin e komunave më shumicë serbe.