Arbëri

Emilja Rexhepi do t’i drejtohet Kushtetueses pas refuzimit nga Supremja

Emilja Rexhepi

Kryetarja e Partisë së Re Demokratike, Emilja Rexhepi, ka thënë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare pasi ankesa iu refuzua edhe nga Gjykata Supreme.

Gjykata Supreme ka refuzuar dy ankesa të Partisë së Re Demokratike, të drejtuar nga Emilja Rexhepi. Sipas Supremes, fletëvotimet nuk mund të shpallen të pavlefshme bazuar në supozimet se një parti politike ose kandidat nga minoritetet kanë marrë mbështetje nga votuesit që nuk i përkasin atij komuniteti.

Rexhepi thotë se po rrezikohen nga përçarja politike dhe dobësimi i përfaqësimit andaj sipas saj Gjykata Supreme i ka refuzuar ankesat pa asnjë arsyetim serioz e juridik. Sipas Rexhepit vendet e rezervuara për komunitetin boshnjak po shndërrohen në poligon manipulimi dhe jo në mekanizëm mbrojtës për komunitetet.

“Partia e Re Demokratike vlerëson se me këtë veprim rrezikohet drejtpërdrejt e drejta e komunitetit boshnjak për të zgjedhur përfaqësuesit e vet dhe se është hapur procesi i degradimit institucional të garancive kushtetuese për pakicat. NDS do të aktivizojë të gjithë mekanizmat juridikë dhe politikë – para Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve ndërkombëtare – sepse është e qartë se pa mbikëqyrje institucionale të jashtme, vendet e rezervuara po shndërrohen në mjet të inxhinierisë politike të komuniteteve të tjera”, thuhet në reagimin e Rexhepit në Facebook.