Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, të hënën në një intervistë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ka folur për vërshimet në këtë komunë.
Ai ka thënë se thuajse të gjithë lumenjtë kanë dalë nga shtretërit dhe kanë vërshuar sipërfaqe të konsiderueshme të pronave.
“Gjendja është e rënduar, por në orët e vona të pasdites, në këto momente ka një rënie të intensitetit të reshjeve dhe ka rënie të nivelit të lumenjve, por që pasojat kanë mbetur dhe janë ende në vërshime”, është shprehur Elezaj.
Ai ka thënë se nëpërmes kompanive të angazhuara nga Komuna e Klinës, si dhe bashkë më Policinë dhe zjarrfikësit, kanë kapacitete për të ndërhyrë në raste të tilla të emergjencave.
Elezaj ka thënë se thirrjet për ndihmë në këtë situatë kanë qenë të shumta.
Ai ka thënë se pas vërshimeve kanë telashe në furnizim me ujë të pijshëm. “Kompania ‘Hidro-Drini’ e ka ndalur furnizimin me ujë nga burimi i Jarinjës, pasi është komplet i turbulluar, tani për tani bën furnizimin me ujë vetëm nga puset që janë në rrethin e ‘Drinit të Bardhë’ dhe fshatrat në këto momente janë me furnizim të kufizuar, po mundohemi që qytetin ta mbajmë të furnizuar”, ka thënë Elezaj.
Ai ka thënë se pas qetësimit të situatës do të evidentojnë dëmet dhe pastaj do të kërkojnë ndihmë nga niveli qendror, për kompensimin e dëmeve.
Sipas Elezajt për të evituar vërshimet duhet shtretërit e lumenjve të ndërtohen, rregullohen dhe pastrohen.
“Mund të ju them lirisht se dje në mëngjes ka qenë situata tërësisht e qetë, ndoshta brenda dhjetë orëve ka pasur të reshura shumë të mëdha dhe një shpejtësi aq e madhe e rritjes së nivelit të lumenjve nuk është parë më përpara. Intensiteti i reshjeve ka qenë shumë i madh por duhet të fokusohemi në ndërtimin e shtretërve të lumenjve”, është shprehur Elezaj.
E kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thënë se janë duke e përcjellë situatën dhe se niveli i lumit Sitnica është rritur. Ai ka thënë se janë në gatishmëri. Idrizi ka folur nga fshati Nadakoc, ku me ekipe janë duke pritur për të bërë intervenime në rast të vërshimeve.
Idrizi ka theksuar se ka pasur vërshime të kulturave bujqësore, por jo të shtëpive. Ai ka shtuar se do të shikojnë njëherë të tejkalojnë situatën emergjente e më pas do të bëjnë vlerësimin e dëmit.