Tri ditë pas hyrjes në fuqi të Rregullores së BQK-së, që e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë, përfaqësuesit e Listës Serbe shprehën kritika ndaj Qeverisë lidhur me vendimin. Thanë se me këtë, kryeministri Albin Kurti po ndërmerr një stuhi ndaj serbëve të Kosovës teksa bashkëfajtore në rast të një eksodi, i mbajti edhe vendet e QUINT-it
Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, e kualifikoi ndalimin e përdorimit të dinarit si përpjekje për dëbimin e serbëve dhe të të gjitha institucioneve serbe nga Kosova.
Në një konferencë shtypi, tri ditë pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re të BQK-së që e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë, Elek theksoi se vendimi e përbën një stuhi të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti ndaj serbëve, pa asnjë plumb të shkrepur dhe para syve të bashkësisë ndërkombëtare.
Duke e përmendur “stuhinë”, ai aludoi në operacionin ushtarak të forcave kroate të bërë në fillim të viteve ’90-a, për kthimin e një pjese të territorit të Kroacisë që ishte nën kontrollin e kryengritësve serbë.
“Këto janë veprime të përgatitura të Qeverisë së Kurtit dhe ne e njohim mirë nënshkrimin e tij në këtë vendim. Duhet kuptuar qartë se me këtë vendim anulohen institucionet serbe që kujdesen për arsimin, mjekësinë, ndihmat sociale, ekonominë, e në përkthim anulohet jeta e serbëve në territorin e Kosovës. Kjo, në rastin më të vogël, është ‘stuhia’ e Kurtit për serbët, pa asnjë plumb të shkrepur dhe krejt përpara syve të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Elek.
Ai paralajmëroi se lidhur me çështjen së shpejti do t’ua dërgojë një letër me vërejtje ambasadorëve të vendeve të QUINT-it, të cilat edhe i mbajti bashkëfajtore po qe se do të ndodhë eksod i serbëve nga Kosova.
“Pikërisht bashkësia ndërkombëtare dhe vendet e QUNT-it janë përgjegjëse për multietnicitetin në Kosovë dhe ata do të jenë bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë po qe se ndodh eksodi i popullit serb nga territori i Kosovës”, ka thënë kryetari i Listës Serbe.
Sipas tij, heqja e dinarit, në përkthim do të thotë dëbim i serbëve nga të gjitha institucionet serbe në territorin e Kosovës.
“Nëse kjo vlerësohet në aspektin matematikor, atëherë të rrezikuar janë të gjithë ata që pranojnë çfarëdo të ardhurash nga Republika e Serbisë, përshirë pensionistët, përfituesit e ndihmave sociale, studentët, bursistët. Në mënyrën më të drejtpërdrejtë do të pësojnë rreth 100 mijë serbë që janë në Kosovë”, ka thënë Elek.
Në Qeveri bënë të ditur se zbatimi i Rregullores për transaksionet me para të gatshme do të bëhet nëpërmjet një tranzicioni të lehtë dhe se nuk do të ketë gjoba për posedimin e valutave të vendeve të tjera.
Vendimi është kundërshtuar nga Serbia, teksa bashkësia ndërkombëtare kërkoi shtyrjen e zbatimit të tij me arsyetimin se ekziston shqetësimi që mund të ketë ndikim negativ te serbët e Kosovës.