Në kuadër të informimit të qytetarëve për vlerësimin preliminar të tokës për komunat e Kosovës, Ministria e Financave në bashkëpunim me shtetin Suedez dhe komunat e Kosovës, kanë filluar ekspozitat nëpër të gjitha komunat e Kosovës për vlerësimin preliminar të tokës, ku fillimisht ekspozita është hapur sot në Komunën e Prishtinës.
Në hapjen zyrtare të kësaj ekspozite në komunën e Prishtinës, morën pjesë ministri i Financave Avdullah Hoti, përfaqësuesi i Agjencisë Suedeze të Tatimeve Ulf Mathiasso, drejtori i Financave në Komunën e Prishtinë Ismajl Kokaj, si dhe drejtori i Departamentit të Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave Shkelzen Morina.
Më këtë rast ministri i Financave Avdullah Hoti duke e cilësuar si unike mbajtjen e këtyre ekspozitave në të gjitha komunat e Kosovës, tha se “është kënaqësi që sot kemi mundësi që formalisht mund të hapim ekspozitën në lidhje me vlerësimin preliminar të tokës në komunat e Kosovës, duke filluar nga Komuna e Prishtinës, dhe pastaj në të gjitha Komunat tjera”.
“Është një ndër reformat më të mëdha që po ndërmarrim me mbështetjen e Qeverisë Suedeze për të cilën jemi shumë falënderues, tashmë janë bërë 3 vite që ky projekt është duke u implementuar në Departamentin e Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave dhe në të gjitha Komunat e Kosovës. Shpresoj që projekti të vazhdojë edhe më tutje sepse tashmë është krijuar një momentum i ri në këtë drejtim fillimisht me ofrimin e shërbimeve elektronike që nisëm në fillim të këtij viti dhe tash me ekspozita për vlerësimin preliminar të tokës në gjitha komunat e Kosovës” shtoi Ministri Hoti.
Ministri Avdullah Hoti tha se “Është hera e parë që në Kosovë do të ketë një vlerë zyrtare të tokës të klasifikuar në kategori të ndryshme siç janë: tokat për qëllime rezidenciale, komerciale, industriale, bujqësore dhe pyjore. Vlerësimi i tokës është bërë nga stafi i Ministrisë së Financave-Departamenti i Tatimit në Pronë të ndihmuar nga ekspertë të shtetit Suedez për çka shfrytëzoj nga rasti edhe ti falënderoj”.
Edhe
Hapet ekspozita për vlerësimin preliminar të tokës në Komunën e Rahovecit
“Të gjitha tokat bujqësore që kultivohen nuk tatimohen. Dhe kjo do ta bëjë të mundur për komunën tuaj që të bëjë më shumë investime në përmirësimin e jetës së përditshme për ju, familjen tuaj dhe për komunitetin tuaj”, shtoi Ministri Hoti.
Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se “Zyrtarët e Departamentit të Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave dhe ekspertët suedez nuk janë këtu që ti mbrojnë vlerat preliminare, por që të njoftojnë qytetarët në lidhje me procesin e vlerësimit, zonat e vlerësimit dhe nivelet e vlerave që siç theksova edhe më lartë të gjitha janë preliminare”.
“Ministria e Financave, respektivisht Departamenti i Tatimit në Pronë do ti trajtojë me kujdesin maksimal të gjitha komentet dhe vërejtjet e qytetarëve dhe do të reflektojë me ndryshime të vlerësimit në të gjitha rastet kur qytetarët kanë të drejtë”, shtoi Ministri Hoti.
Ndërsa, përfaqësuesi i Agjencisë Suedeze të Tatimeve Ulf Mathiasso bëri të ditur se në hartat që janë prezantuar në ekspozitë do të gjenden vlerat preliminare të parcelave.
“Por puna më e madhe qëndron prapa këtyre që nënkupton se tani kemi regjistër për të gjitha parcelat”, tha ai. Është hera e parë që toka vlerësohet, por në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale suedeze kemi krijuar atë që cilësia e këtyre tokave të përmirësohet”, ka thënë ai.
Edhe
Në Mitrovicë u hap ekspozita për vlerësimin preliminar të tokës
Drejtori i Financave në Komunën e Prishtinës Ismajl Kokaj, bëri të ditur se që nga sot do të mbahet ekspozita në lidhje me vlerësimin preliminar të tokës në Komunën e Prishtinës, është hera e parë që në komunën tonë toka do të ketë një vlerë zyrtare.
Ai gjithashtu bëri të ditur se ekspozita për vlerësimin preliminar të tokës në Komunën e Prishtinës, do të jetë 1 muaj e hapur për qytetarët.