Para deputetëve, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paraqitur propozimrezolutën për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë, e cila kishte në përbërje tri pika kryesore.
Kjo parti, nëpërmjet rezolutës kërkoi që fillimisht Ministria e Financave të pezullojë rivlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023, të llogariten sipas vlerësimit paraprakë.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha të enjten se problemi me rritjen e tatimit në pronë është shkaktuar nga niveli qendror dhe beson që zgjidhja duhet të gjendjet në nivelin qendror.
Teksa lexoi përmbajtjen e rezolutës, Hoti kërkoi që Ministria e Financave sa më shpejt ta sjellë në Kuvend projektligjin për tatimin në pronë.
“Ministria e Financave të pezullojë rivlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023, të llogariten sipas vlerësimit paraprakë kjo është plotësisht e realizueshme dhe nuk ka asnjë ndikim negative tek komunat sepse buxhetet e komunave janë të planifikuara me ngarkesat e vjetra tatimore të tatimit në pronë. MFTP që të sjellë në Kuvend Projektligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. I cili duhet të përmbajë amendamentet që mundësojnë dy gjëra që të jep mundësi ligji që të përshtat ngarkesën tatimore në përputhje me situatën ekonomike dhe këto mund të nxjerrim indikator konkret dhe të lejoj mundësinë të ndryshoj pragu ndoshta të ulet norma minimale…E treta që ministria e Financave në bashkëpunim me komunat gjatë vitit 2023 fillimisht të bëjë rivlerësimin e pronave dhe ndoshta të kalohet tek vlerësimi individual i pronave jo vlerësimi i pronave për gjithë zonën”, tha ai.
Deputeti Hoti tha se mosreagimi i ministrit Hekuran Murati, karshi kësaj rritje të tatimit në pronë është rezultat i asaj që ministri nuk ka qenë i njoftuar me këtë raport.
“Komunat nuk i kanë ndryshuar normat tatimore, kanë mbet në ato që kanë qenë por ngarkesa tatimore është rritur për shkak të rivlerësimit që ka bërë Ministria e Financave sa i përket pronave. Në tetor 2022 ekipi i tatimit në pronë në MF e ka përgatitur raportin e rivlerësimit të pronave normalisht që vlera e pronave është rritur në bazë të këtij vlerësimi për shkak të inflacionit që ka ndodhur gjatë vitit 2022 edhe për shkak se ka pas disa vite që është përdorur vlera e mëhershme e pronave”.
Propozimin e ministrit Murati për falje të 100 eurove të borxhit, Hoti e quajti propozim të pazarit, ndërsa theksoi se me këtë dyfishim të faturave të tatimit në pronë ka ulur inkasimin e tatimit në pronë në komuna dhe do të ndikohet në të hyrat komunale.
“Norma e tatimit në pronë nuk është ndryshuar, faturat janë dyshuar pas MF ka bërë rivlerësimin e pronave kjo ka qenë e ditur që në tetor 2022 por nuk është bërë e ditur për qytetarët dhe qytetarët e kanë kuptuar kur është shtypur fatura e tatimit në pronë nga data 23 janar 2023 e këndej. Është përdorë zonimi i vjetër i pronave që është bërë para disa viteve dhe kjo ka bërë që në disa prej lagjeve ekskluzive të Prishtinës shtëpitë janë vlerësuar më lirë se sa shtëpitë e Fushë-Kosovës”.
Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Armend Muja, e quajti të befasishme rezolutën e LDK-së.
“Në bazë të Ministrisë së Financave, ka gatishmëri që kjo çështje të trajtohet shpejt. Vlerësimi ka qenë kryesisht profesional, nuk është bërë nga asnjë mandat i detyrueshëm politik ka qenë vlerësim profesional. Ajo çka është evidente është se ka çështje sa i përket zonimit dhe zonimi është ende i vjetër dhe potencialisht për shkak të zhvillimit të lagjeve nëpër zonat rurale, paradoksalisht ndodh që në zonat e qytetit vlerësohen ca prona pikërisht më shumë se ato prona dhe ka hapësirë që të diskutohet kjo dhe të trajtohet në kuadër të plotësim-ndryshimit të ligjit”, tha Muja.
E deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, tha se dyfishimi i faturave për tatimin në pronë i ka zënë të përgjumur dhe në befasi qytetarët.
Sipas saj, nëse ka nevojë të bëhet edhe një ligj i ri për tatimin në pronë, për çka kërkoi që të përfshihen edhe ekspert të fushave të tjera e jo vetëm akterët komunal.
“Qytetarët janë zënë në kohë inflacioni në shumë kështu si të përgjumur dhe në befasi....Ideja e rivlerësimit pavarësisht se është nga njerëz kompetent u përmend shumë edhe çështja e zonimit mendoj se duhet të kihet parasysh pavarësisht nëse është bazuar në zonimin e vjetër dhe çfarë do zoonimi i ri që bëhet që tek aspekti i ligjit për tatimin në pronë të respektohen hartat zonale të dokumenteve të planifikimit në nivel komunal sepse aty përcaktohen saktësisht se cila janë zonat qendrore, zonat e rendit të dytë, periferike e subzonale”, tha ajo.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, kërkoi që Qeveria mos ta sjell faljen e borxheve si precedent, por komunat të marrin vendim vetë. Tahiri ka propozuar dy rekomandime për tejkalim të kësaj situate, duke thënë se për rivlerësimin e tatimit në pronë qytetarët janë informuar vonë dhe ai nuk është konsultuar me komunat.
“Janë dy propozime që mendoj duhet trajtuar nëse hymë në eksperimentim të faljes së tatimit falja është precedent shumë i keq kur flasim për tatim unë po pajtohen se familjet për shkak të ekonomisë duhet me i trajtua por faljen si precedent ju lutem mos e sillni në Kuvend. Rekomandimi ynë i parë është që tu mundësojmë komunave që ta ulin normën sipas kalkulimeve të tyre që mund ta organizojnë tatimin në normën 0.07% .. nëse ne iu mundësojmë me ul komunat normën 0.07 përmes Kuvendit Komunal atëherë ne e mënjanojnë faljen si precedent. Çështja e dytë që vjen si rekomandim nga AAK-ja lidhet drejtpërdrejt me një ligj shumë të rëndësishëm i cili ka qenë në agjendën legjislative vitin e kaluar dhe besoj se do të jetë edhe këtë vit dhe është Ligji për financa lokale”, u shpreh Tahiri./ksp