Ndërmarrjeve Publike do t’u thellohen vështirësitë financiare pas daljes në tregun e hapur të energjisë, thotë Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv i Institutit GAP.
Shumica e ndërmarrjeve në pronësi publike kanë operuar me humbje vitin e shkuar, ndonëse për energji faturoheshin me çmime të rregulluara.
Por, nga fillimi i qershorit, të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose 10 milionë euro qarkullim dolën në treg të hapur të energjisë. Rrymën po ua siguron KEK-u si Furnizues i Mundësisë së Fundit, por çmimi është shumë më i lartë sesa kanë paguar më herët.
Hasaj thotë se ndërmarrjet gjenden para dy alternativash, shtrenjtim të shërbimeve ose subvencionim nga qeveria.
“Nëse nuk ka ndonjë ndryshim tarifor të shërbimeve të tyre, zgjidhja e vetme do të jetë që qeveria të ndërhyjë dhe t’i subvencionojë ato. Praktika e subvencionimit të ndërmarrjeve publike nuk është e rrallë në vendin tonë dhe mendoj që duhet të maten aspektet pozitive dhe negative të një subvencionimi të tillë, duke e ditur që shërbimet që i ofrojnë këto ndërmarrje janë jetike dhe i prekin thuajse të gjithë qytetarët”, ka thënë Hasaj.
KOHA që dy javë i është drejtuar me pyetje të gjitha ndërmarrjeve publike qendrore, se a do të paraqesë vështirësi financiare dalja në treg të hapur të energjisë, sa për qind e kostos së operimit e përbën rryma. Por përgjigje ka ofruar vetëm Telekomi, njëra ndër kompanitë e pakta publike që e mbyll vitin me fitim. Në përgjigjen e kësaj ndërmarrjeje thuhet se do të dyfishohen shpenzimet për rrymë.
“Po, kemi dalë dhe kemi nënshkruar kontratë për furnizim në treg të hapur. Me çmimin e deritanishëm të energjisë, shpenzimet e energjisë i kanë përbërë rreth 2% të kostos totale të operimit të kompanisë. Në bazë të analizave tona, presim që furnizimi në treg të hapur do të ndikojë në dyfishimin e shpenzimeve të rrymës”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.
Kompanitë private e kanë kundërshtuar daljen në treg të hapur të energjisë, madje edhe kanë protestuar për këtë çështje.