Vendimi i Ministrisë së Tregtisë për kalimin e kompetencave për menaxhim të inspektoratit në zyrën e kryeministrit, njohësit e zhvillimeve ekonomike në vend dhe përfaqësues të Odës Ekonomike, po e shohin me skepticizëm.
Problemi kryesor i menaxhimit joefikas të tregut, sipas tyre, nuk është vetëm institucioni mbikëqyrës, raporton KTV.
Numri i vogël i inspektorëve, përzierja e kompetencave dhe korruptimi i tyre, sipas Berat Rukiqit nga Oda Ekonomike e Kosovës, janë elementet e para të cilave është dashur t’u jepet drejtim.
Dyshime ka edhe në kapacitetet profesionale në zyrë të kryeministrit për t’i menaxhuar të gjithë sektorët e inspektorateve.
Njohësit e zhvillimeve ekonomike thonë se një praktikë e tillë nuk ka pasur efekt në të kaluarën, andaj thonë se ky vendim do t’i shërbejë secilës qeverisje për interesa partiake.
Edhe
Projektligji për inspektim përplasë deputetët në komision
Ky vendim u mor në kuadër të marrëveshjes me Qeverinë Zvicerane dhe Bankën Botërore për përmirësim të mjedisit të biznesit përmes reformave në sistemin e inspektimeve.
Në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, punon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, derisa tendenca për ta marrë nën menaxhim, kishte edhe për Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, KIESA, e cila është agjenci në kuadër të Ministrisë së Tregtisë.