Afër 3 mijë e 500 persona deri më tani kanë nënshkruar peticionin i cili do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës si kërkesë për funksionalizimin e një regjistri publik të abuzuesve seksualë.
Por krijimi i një regjistri publik me të dhënat e abuzuesve seksualë është e pamundur për kornizën ligjore të Kosovës, madje nga shoqëria civile dhe njohësit e çështjeve juridike thonë se është mënyrë primitive dhe jo efektive në trajtimin e këtyre rasteve, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Anton Nrecaj, këshilltar i lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal, thotë se krijimi i një regjistri publik nuk është mënyra e duhur për t’i trajtuar abuzimet seksuale.
“Sa i përket pjesës dhe kërkesës e iniciativës që ka të bëjë me krijimin e një sistemit ku mund të publikohen emrat e personave të cilët kanë bërë vepra penale të abuzimeve dhe ngacmimeve seksuale, konsideroj që fillimisht është e pamundur, sepse ne nuk mund të kopjojmë sisteme të tjera, kornizën ligjore duhet t’ia adaptojmë mentalitetit të cilës jetojmë. Pastaj nëse një person është i akuzuar për një vepër penale për krime seksuale, ai i nënshtrohet një procesi gjyqësor dhe në bazën e saj ai e merr ndëshkimin. Prandaj të ekzistojë një listë e tillë është njëjtë si të linçohen personat qytetarët për një vepër të pahijshme, këto kohëra i takojnë kohërave të mesjetës ku personat të cilët kanë bërë vepra të pahijshme janë linçua dhe lëçit nga shoqëria për shkak se janë efekt i dëmshëm për shoqëri dhe infektojnë shoqërinë më imoralitet. Ne jetojmë në shekullin 21 dhe i nënshtrohemi standardeve evropiane dhe ndërkombëtare ku respektohen të drejtat e njeriut”.
Tutje, Nrecaj thotë se edhe pamjet e abuzimeve seksuale nuk duhet të shfaqen në medie dhe rrjete sociale pasi është në kundërshtim me etikën e gazetarisë si dhe me Ligjet e Kosovës.
Një numër i lartë rastesh të dhunës seksuale janë raportuar ditët e fundit në vend.
Me këtë rast gazeta feministe “Grazeta” ka nisur një peticion drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë duke bërë kërkesë që të vihet në funksion një regjistër publik i abuzuesve seksualë, si dhe të bëhen publike emrat e tyre.
Edhe
IKD-ja nis mbledhjen nënshkrimeve për ndryshimin e Kodit Penal
Sipas tyre, ky regjistër u jep mbrojtje të mbijetuarve të dhunës dhe minimizon mundësitë që akti i njëjtë të përsëritet.
Ndërsa, sipas aktivistes Leonida Molliqaj, nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), kjo formë nuk është efektive, dhe po ashtu mund të pengojë në gjykimin e rastit.
“Diskutimi të ndryshme sesi duhet me u menaxhua ky problem apo sesi duhet me u zgjidh e me u parandalua. Një ndër këto ka qenë edhe peticioni për regjistrin publik ku do të vendoseshin emrat e të gjithë personave që dënohen për sulme seksuale. Përveç peticionit, është promovua ideja e publikimit të emrave edhe në qoftë se që nuk do të ishin pjesë e regjistrit “ thotë Molliqaj.