Arbëri

Ekspertët alarmojnë për rreziqet nga përdorimi i “drogave për party”

Prej 8 mijë deri në 10 mijë përdorues të kokainës, rreth 1 mijë të heroinës e mbi 2 mijë të drogave tjera të fuqishme që përdoren kryesisht në jetën e natës janë në Kosovë, bazuar në vlerësimet e bëra nga organizata “Labyrinth”, që merret me varësinë nga substancat narkotike.

Në këtë organizatë si problematikë të veçantë përmendin numrin e të rinjve që gjatë ahengjeve të natës përdorin droga si ekstazia, amfetamina e GHB-ja, e të cilat i kualifikojnë si të parrezikshme dhe pa ndikim në krijimin e varësisë.

Por Muharrem Ademi, koordinator në “Labyrinth”, alarmon se përdorimi i kombinimit të këtyre narkotikëve, që njihen si droga për “party”, në shoqërim edhe me alkool e barna, mund të çojë deri në vdekje.

“Përdorimi i drugave nëpër klube (të natës v.j) ose ‘party drugs’ është goxha shqetësuese, kjo poli-drug users që quhen, persona që marrin disa lloje të drogave njëkohësisht, janë disa droga që janë goxha të rrezikshme dhe kombinimi i tyre është nganjëherë edhe fatal, për shembull në mes të stimuluesve të fuqishëm dhe depresantëve. Kemi pasur për shembull vdekje të shumta kur dikush ka përdorur GHB (që është depresant) bashkë me kokainë”, ka thënë Ademi.

Pos rrezikut për vdekje, Ademi thotë se përdorimi i tyre mund të prodhojë pasoja të natyrës si fizike ashtu edhe psikologjike.

“E para është vdekshmëria, domethënë rreziku shumë i madh për sulme në zemër apo ndonjë problem tjetër shëndetësor që mund të dërgojë deri te kolapsi i organeve të trupit... Është një urë, një kalim te drogat e tjera të cilat mund të bëhesh i varur, dhe e treta është rrezikshmëria nga mungesa e vetëkontrollit”, ka shtuar ai.

Për rreziqet nga përdorimi i narkotikëve që lidhen me jetën e natës alarmon edhe psikiatrja Samire Braina. Ajo e kualifikon mit perceptimin e krijuar tek të rinjtë se ato nuk shkaktojnë pasoja e varësi.

“Ideja se disa droga janë “jo të rrezikshme” kur përdoren rrallë është mit, që shpesh e hap derën për përdorim më të shpeshtë dhe më problematik. Personat në fjalë, që konsumojnë vetëm në fundjavë, lidhen me idenë që ‘nuk mund të kalojë mirë pa të’ edhe nëse përdor vetëm një herë në javë, përdorimi në raste mund të bëhet model i sjelljes, p.sh. për çdo stres, ndjesi të zbrazët, festë shoqërohet me dëshirën për drogë”, ka thënë Braina.

Droga me përdorimin më të shpeshtë konsiderohet marihuana, e cila depërton në Kosovë kryesisht nga Shqipëria. Bazuar në të dhënat e Policisë, gjatë vitit të shkuar janë sekuestruar mbi 1 ton e 279 kilogramë marihuanë, 27 kilogramë e 800 gramë heroinë, sasi kilogramëshe të pluhurit të paidentifikuar me ngjyrë të bardhë, të verdhë, të kafenjtë në të zezë, të hirtë e me karakteristika të ndryshme, mbi tre kilogramë e 700 gramë ekstazi, më se 700 gramë ketaminë, më shumë se 300 gramë kokainë e tipit crack, si dhe lloje të tjera me sasi më të vogla.