Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj ka marrë pjesë në punëtorinë e TAIX-it për Programin COSME 2014-2020.
Në hapjen e kësaj punëtorie, ministri Beqaj ka deklaruar se ekonomia e Kosovës si një ekonomi me popullsi të re, bilanc jo të favorshëm tregtar, eksporte të ulëta dhe papunësi të lartë, ka nevojë për një orientim strategjik.
Duke folur për punën që po bënë Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ministri Beqaj tha se ministria që drejton synon ta rrisë konkurrencën dhe ta nxisë inovacionin, si një mjet për të rritur produktivitetin vendor dhe për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm ekonomik.
“Besojmë se me buxhet prej 10 milionë euro për këtë vit, investim i drejtpërdrejtë në sektorin privat, do të arrijmë të krijojmë efekt pozitiv në rritjen e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit”, ka theksuar ministri Beqaj.
COSME është programi i BE-së, qëllimi i të cilit është përmirësimi i konkurrueshmërisë, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në BE dhe NVM-ve në shtetet e treta që marrin pjesë në këtë program.