Ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, po merr pjesë në Festivalin e Inovacionit që po mbahet në Tiranë.
Në ditën e dytë të Festivalit ai, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u është drejtuar pjesëmarrësve dhe kompanive që po prezantojnë punën e tyre në këtë ngjarje të ekonomisë digjitale.
“Përkushtimi i politikave strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës është riorientimi i ekonomisë, drejtë ekonomisë digjitale, në këtë drejtim Kosova është duke bërë hapa konkretë për zhvillimin e sektorit të inovacionit dhe teknologjisë”, theksoi ministri Beqaj.
Ai po ashtu ka thënë se Kosova është e përkushtuar në krijimin e mundësive për zhvillim të ndërmarrësisë dhe iniciativës private përmes inovacionit, duke u përqendruar në zhvillimin e NVM-ve prodhuese dhe shërbyese, me synim krijimin e vendeve të punës, arritjen e një niveli konkurrues me ekonomitë evropiane.
Festivali i Inovacioni me karakter rajonal po organizohet për herë të parë në Tiranë me prani të mbi 500 pjesëmarrësve nga rajoni dhe më gjerë, ndërsa punën e tyre në fushën e teknologjisë dhe inovacionit po e prezantojnë 50 kompani të rajonit.