Arbëri

Ejupi ankohet për përjashtimin e avokatëve pa të drejtë ankese

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupi, ka deklaruar se përjashtimi i avokatëve nga rastet gjyqësore pa të drejtë ankese, është praktikë që avokatët do t’i penalizonte shumë.

Në një konferencë për media, Ejupi deklaroi se përjashtimi i avokatit Besnik Berisha në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt nga Deçani, është vendim i pabazuar, derisa zyra e prokurorit ka ardhur në përfundim se s’ka pasur shkelje.

“Në lidhje me këtë rast Gjykata ka sjellë dy vendime, vendimi i parë është me gjobë e dyti është me përjashtim te avokatit. Vendimi i parë nuk është trajtuar në Këshill asnjëherë por vetëm vendimi i dytë. Ne si Odë e Avokatëve kemi shprehur shqetësimet tona se tanimë kodi i procedurës penale ka kaluar në leximin e parë, ku avokati s’ka të drejtë ankimi pas përjashtimit”, ka thënë ai.

I pari i Odës deklaroi se pas këtyre dy vendimeve, Gjykata Themelore në Pejë ka kërkuar me një urdhëresë që të caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare, por që Këshilli sipas tij ka deklaruar se nuk ka ndonjë rrethanë.

“Ne konsiderojmë se si Odë do të jemi gardianë, do t’i mbrojmë interesat e qytetarëve dhe do t’u mundësojmë të gjithë avokatëve të ushtrojnë profesionin pa pengesa. Nëse do të lejohet kjo praktikë që një avokat të përjashtohet e të mos mund të vë ankesë, do jetë shumë e dëmshme, se në një mënyrë mund të ndalojë ushtrimin e profesionit”, shtoi ai.

Avokati mbrojtës i Shaban Gogajt, që dyshohet se e ka vrarë Tetajn, është përjashtuar nga Gjykata pasi i njëjti i ishte drejtuar trupit gjykues me fjalët “paragjykues të çështjes penale”.