Arbëri

Edhe një senator amerikan vlerëson se “është koha që ushtarët të kthehen nga Kosova”

Edhe një tjetër senator amerikan ka reaguar lidhur me deklaratat se SHBA-ja duhet ta rishqyrtojë praninë e forcave ushtarake në Kosovë.

Rand Paul, senator tjetër amerikan, duke publikuar një deklaratë të senatorit David Perdue, që u bë lajm në mediat në Kosovë, thotë se e mbështet paqen porse inkurajon Kosovën të punojë me Serbinë, për paqe më të qëndrueshme. Këtu, ai ka thënë se "është koha për t'i sjellë ushtarët amerikanë në shtëpi".

“Unë mbështes paqen dhe tregtinë me të gjithë. E inkurajoj Kosovën që të kthejë një faqe dhe të punojë me Serbinë për një paqe të qëndrueshme. Është koha për t’i sjellë trupat tona në shtëpi pas kaq vitesh atje …”, ka leshuar një cicërimë në Twitter Paul, transmeton Koha.net.

Edhe dje gjatë ditës senatori amerikan David Perdue, përmes një postimi në Twitter, thotë se SHBA-ja do të duhej ta rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.

Perdue, senator në Gjeorgji, e lidhë këtë me këmbënguljen e Kosovës për të mos e hequr tarifën ndaj Serbisë, prandaj, sipas tij, “nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, SHBA-ja ta rishqyrtojë praninë e saj atje”.

Senatori amerikan: Nëse Kosova nuk është e përkushtuar për paqe, SHBA-ja ta rishqyrtojë praninë atje

“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tash me progresin historik të arritur, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha obligimet e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj atje”, ka shkruar ai në Twitter.

Më vonë gjatë ditës, edhe i biri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump Jr. i ka dalur krah senatorit amerikan, David Perdue, i cili sot ka shkruar në “Twitter" se SHBA-ja duhet ta rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.

I biri i Trumpit mbështet senatorin Perdue: Koha t'i kthejmë në shtëpi ushtarët amerikanë që janë në Kosovë