Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës nuk është konstituar as pas përpjekjes së 24-t. 

Sërish nuk kishte kuorum për formimin e Komisionit për të zhvilluar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Është hera e 16-të që seanca dështoi në këtë pikë. 

Të shtunën në seancë ishin 96 deputetë. Votuan 53 pro, 1 kundër dhe nuk pati abstenime. 

Seanca e radhës do të mbahet të hënën me fillim nga ora 10:30.

Haxhiu: Është përgjegjësi e të gjithë deputetëve që të marrin pjesë në votim

1 d. më parë / 31 maj 2025 12:55
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatja e kësaj partie për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, thotë se është përgjegjësi e partisë së parë të propozojë emrin për kryetar të Kuvendit, duke shtuar se është përgjegjësi e të gjithë deputetëve që të marrin pjesë në votim dhe të gjejnë mënyrat për ta konstituar Kuvendin e Kosovës.

Haxhiu pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të shtunën, ka thënë se për Lëvizjen Vetëvendosje është e papranueshme bllokada në Kuvend.

“Kjo situatë është brengosëse por sa i takon deputetëve të LVV-së, secilin obligim që e kemi pas me Kushtetutë dhe rregulloren e punës së Kuvendit e kemi adresuar. Pra ne vijmë këtu për të kontribuuar në konstituimin e Kuvendit. Është përgjegjësi e të gjithë deputetëve që të marrin pjesë në votim dhe të gjejnë mënyrat për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.. andaj mendoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që opozita të braktis qëndrimet bllokuese, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të jemi në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, tani ne po presim edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese“, tha ajo.

Sa i përket pagave, ajo thotë se është paguar si ministre e Drejtësisë.

Haradinaj për Limajn: E shkuar - e harruar

1 d. më parë / 31 maj 2025 11:36
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se bllokada e vazhdueshme në Kuvend është shqetësim serioz, derisa përmendi se mosvotimi i ligjeve do të sjellë pasoja.

Haradinaj tha se nuk ekziston emri i tij për diskutime, kur u pyet nëse kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është emër unifikues për kryetar të kuvendit.

“Nuk kam koment, edhe me herët kam thënë ‘e shkuar e harruar’. Gati se nuk ekziston emri i tij as për diskutime as për tema të tilla. I kemi përmend tre emra”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se tarifat e reja të energjisë elektrike po rrezikojnë mijëra vende të punës dhe rrezikohet një rënie e madhe e prodhimtarisë.

“Nëse vazhdon kjo situatë e tillë është vërtetë shqetësim serioz jo veç çka ndodhë në seancë, por edhe çka ndodhë në vend. Qysh e dimë prej nesër fillojnë tarifat e reja të energjisë. Nuk është vetëm keqpërdorim i një situate kjo, por janë të rrezikuara shumë vende të punës në prodhim. Prodhimi në Kosovë vërtetë rrezikohet një rënie e madhe e prodhimtarisë. Paraja do të ekspertohet, pasojat do të jenë shumë më të mëdha në vend. Duke mos e pasur parlamentin e konstituar, duke mos votuar ligje, duke mos ecur proceset është duke u bërë problem. Nuk e di si do t’i vjen fundi kësaj pune. Ende po presim me shpresë se çka do të ndodhë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Haradinaj./ KP

 

Abrashi: Do të diskutojmë me gjithë deputetët që “nuk e kanë humbur arsyen nga presioni”

1 d. më parë / 31 maj 2025 11:34
Artan Abrashi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Artan Abrashi, ka thënë se po vazhdon “bojkoti e sabotazhi opozitar në Kuvendin e Kosovës”. 

Ai ka thënë se po presin nga Gjykata Kushtetuese të sqarohet çështja e votimit të fshehtë e po ashtu edhe vendimi për “manipulimin e votave nga diaspora nga LDK-ja”. 

Abrashi ka thënë se me Nismën Socialdemokrate ka diskutime për të gjitha temat. Ai ka thënë se do të vazhdohet të diskutohet me deputetë shqiptarë të gjitha subjekteve politike “që nuk e kanë humbur arsyen nga presioni nga partitë  e tyre relevante”. 

Ai ka mohuar se deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës u janë ofruar privilegje për të votuar për propozimin e Vetëvendosjes për kryetar të Kuvendit, që është Albulena Haxhiu. 

“Konsideroj se kolegët tanë nga LDK-ja nuk e kanë nevojë të sajojnë storie të tilla të paqëndrueshme. Mundohen të mbulojnë pafuqinë e tyre që të bindin me zor deputetët të qëndrojnë brenda një vendimi absurd. E di se LDK-ja ka zëra të arsyes. Po abuzohet lojaliteti i deputetëve ndaj subjektit. Kjo nuk zgjat pafundësisht”, tha Abrashi. 

Ai ka treguar se ka bisedime edhe me deputetë nga radhët e PDK-së. 

“Sot më herët kam folur me dy a tre. Nuk është diçka e fshehtë”, tha Abrashi. 

Sa i përket raportimit se kompania e MDA e themeluar nga vëllai i shefit të stafit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Luan Dalipi, ka aplikuar për licencim për shitblerje të energjisë, Abrashi ka thënë se për çështje të tilla duhet të vendosë Agjencia për Parandalim të Korrupsionit. 

“Kur flasim për tema të tilla, mendoj se në Kosovë keni institucione të konsoliduara që japin mendim e vendim për këto”, ka thënë Abrashi. 

Zemaj për pagat e deputetëve: Puna po bëhet, seancat thirren sipas rregullores

1 d. më parë / 31 maj 2025 11:27
Armend Zemaj

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka komentuar pas dështimit të seancës konstituive edhe çështjen e pagave të deputetëve, pas kritikave për pagesat prej 1,500 eurosh në kohë bllokade institucionale.

“Nuk vendosi unë për pagën, është çështje procedurale dhe ligjore. Puna po bëhet, seancat thirren sipas rregullores. Deputetët kanë detyrim të marrin pjesë dhe të përfaqësojnë qytetarët, kjo është përgjegjësi kushtetuese,” u shpreh Zemaj.

Ai theksoi se përkundër mungesës së vendimmarrjes, prania në Kuvend është detyrë që po përmbushet nga shumica e deputetëve./ EO

Çitaku: Për shkak të kryeneçësisë së Kurtit, kemi mbetur këtu

1 d. më parë / 31 maj 2025 11:06
Vlora Çitaku

Foto: EO

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje për reflektim Lëvizjes Vetëvendosje për zhbllokimin e situatës në Kuvend.

Pas dështimit të konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit, para mediave Çitaku ka thënë se bllokimi i votimit në Kuvend po ndodh për shkak të kryeneçësisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Sot do të duhej të ishim në seancë për të shkarkuar Bordin e ZRRE-së dhe së dyti për t’i dhënë vendit një qeveri që do punonte për të adresuar sfidat e shumta. Fatkeqësisht për shkak të kryeneçësisë së Kurtit dhe insistimit të tij për të legjitimuar presionin politik si instrument ne kemi mbetur këtu ku jemi. Nuk votohet me diktat. Sot kemi ngërç politik artificial”.

S’ka konstituim të Kuvendit as pas përpjekjes së 24-t

1 d. më parë / 31 maj 2025 11:01
Kuvendi i Kosovës

Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës nuk është konstituar as pas përpjekjes së 24-t. 

Sërish nuk kishte kuorum për formimin e Komisionit për të zhvilluar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Është hera e 16-të që seanca dështoi në këtë pikë. 

Të shtunën në seancë ishin 96 deputetë. Votuan 53 pro, 1 kundër dhe nuk pati abstenime. 

Seanca e radhës do të mbahet të hënën me fillim nga ora 10:30. 

Seanca e parë konstituive u mbajt më 15 prill. 

Berisha: Na kanë qëndruar gati ambasadat, se kurrë s’kemi mundur t’u japim orientim momenteve politike

1 d. më parë / 31 maj 2025 10:51
Bekë Berisha

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, e ka përshkruar si të “çuditshme” bllokadën në Kuvend për votimin e kryetarit të Kuvendit.

Ai ka thënë se e vetmja zgjidhje ka mbetur te Gjykata Kushtetuese ose thirrja e një takimi nga presidentja me partitë politike.

“E vetmja shpresë ka mbetur te Gjykata Kushtetuese ose eventualisht një ftesë tjetër e partive politike që ish dashtë të ndodhë nga presidentja për të dalë nga kjo. Por u bë e 24-ta herë që po vimë këtu, nuk kemi mundur të vimë në një zgjidhje. Kjo ndoshta tregon edhe mosafinitetin tonë edhe kohë më përpara, sepse si duket neve veç na kanë qëndru gati këto ambasada se kurrë këta politikanë nuk kemi mundur t’u japim orientim momenteve politike asnjëherë, por vetëm na kanë qëndru gati. Është për të ardhur keq”, ka thënë Berisha para fillimit të seancës konstituive.

Izmaku: Kuvendit të Kosovës i duhet në këto momente Limaj

1 d. më parë / 31 maj 2025 10:37
Xhevahire Izmaku

Deputetja nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka thënë se kreu i kësaj partie Fatmir Limaj meriton të jetë kryetar i Kuvendit të Kosovës. 

Ajo s’ka konfirmuar nëse ka pasur ndonjë takim të ri me Lëvizjen Vetëvendosje, por ka thënë se mendimi i Nismës është se Limaj i duhet Kuvendit të Kosovës. 

“Nisma konsideron se Kuvendit të Kosovës në këto momente i duhet z. Limaj. Një figurë e cila kish sjell koncesus. Mendojmë se kryetari i Kuvendit ka nevojë të sjellë njëfarë koncesusi mes deputetëve e për procese që e presin Kosovën në të ardhmen”, tha Izmaku para vazhdimit të seancës konstituive. 

Ajo ka thënë se nuk beson se ka pasur takim të ri mbrëmë. 

Sa i përket nëse ndihet mirë për marrjen e rrogës së parë si deputete, ndonëse nuk është konsistuar ende Kuvendi, Izmaku ka thënë se asnjë deputet nuk ndien ndonjë lloj krenarie me këtë. 

Tahiri: Në Kosovë sot perspektivë kanë vetëm familjarët e këtyre që janë në pushtet

1 d. më parë / 31 maj 2025 10:27
Abelard Tahiri

Photo: Alban Bujari

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk ka ndryshim sa i përket qëndrimit të partisë për votimin për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Derisa ka folur për Qeverinë në detyrë, ai ka thënë se në Kosovë perspektivë kanë vetëm familjarët e atyre që janë në pushtet. 

“Në krye të detyrës o  kemi disa njerëz që nuk mendojnë për njerëz dhe halle të tyre, përkundrazi ia kanë vënë lakun në fyt edhe atyre bizneseve që e bëjnë paranë kryesore në sektorin privat. Ne jemi këtu me çu në shtëpi këtë Qeveri dhe me sjellë një qeveri që është në krye të detyrës dhe që arrin t’i trajtojë problemet e qytetarëve. Këta janë për vëllezërit e tyre, motrat e tyre. Këtu në këtë vend sot perspektivë kanë familjarët e tyre”, ka thënë ai para fillimit të seancës konstituive.

Se s'ka ndryshim në qëndrimin e PDK-së për votimin e kandidates së VV-së për kryeparlamentare, ka konfirmuar edhe deputeti Nait Hasani. 

"Me i pasë mendtë në kokë kryetarët e partive moti e kishin kry këtë punë", tha Hasani.