Arbëri

Edhe një ditë afat për konvertim të targave, për t’iu ikur qortimeve dhe gjobave

Të hënën në mesnatë hyn në fuqi vendimi i Qeverisë që parasheh vërejtje për pronarët e veturave që nuk i kanë konvertuar targat ilegale në ato RKS. E, ky vendim po kritikohet nga Bashkimi Evropian dhe nga SHBA-ja, por edhe nga njohës të çështjeve politike në vend. Ndërkohë, pas disa incidenteve që kishin ndodhur ditë më parë, e diela në Mitrovicën e Veriut dhe në pikën kufitare në Bërnjakë ishte e qetë.

Vetëm edhe nesër veturat me targa të lëshuara nga Serbia do të mund të lëvizin lirshëm në territorin e Kosovës.

Në mesnatën e së hënës në fuqi do të hyjë vendimi i Qeverisë, që fillimisht parasheh vërejtje, e pas tri javëve edhe gjoba për ata që nuk i konvertojnë targat ilegale në ato RKS.

Situata në këtë komunë gjatë ditës së diel ka qenë e qetë, pas disa incidenteve që kishin ndodhur ditë më parë, ku tri vetura ishin djegur nga 1 shtatori shkaku i konvertimit të targave në RKS.

E qetë ishte edhe rruga që shpie për në pikën kufitare në Bërnjak, ku kishte qarkullim të paktë të veturave në hyrje-dalje të kufirit, pjesa dërrmuese e të cilave kishin të mbuluara targat me letërngjitëse, me ndonjë përjashtim të vogël.

Pas kërkesës së ndërkombëtarëve që afati për kthimin e targave në RKS të shtyhet për dhjetë muaj, kryeministri Albin Kurti të premten ka marrë vendim për shtyrjen para të këtij vendimi, por me disa faza.

Për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor, do të jetë masa e qortimit, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill s’mund të ketë, sepse s’mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës.

Por, sipas analistit politik Nexhmedin Spahiu, vendimi i Qeverisë është poshtërues dhe me të cilin nuk arrihet asnjë gjë.

“Qeveria ka dalë keq para aleatëve duke mos përfillur këshillën e tyre dhe në anën tjetër nuk ka qenë në gjendje që të marrë një vendim të duhur që kishte me qenë konfiskimi i menjëhershëm i makinave me targa ilegale. Ka mjaftuar që vetëm në kufi ato të konfiskohen, për t’i detyruar qytetarët në veri që t’i konvertojnë targat, por si duket Qeveria nuk ka qenë në gjendje që ta bëjë këtë, për shkak të frikës së përshkallëzimit të situatës dhe të cilën ka vlerësuar se nuk mund ta menaxhojë”, ka thënë Spahiu.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ditë më parë ka thënë se serbët që nuk do t’i konvertojnë targat ilegale në RKS do të gjobiten deri në 150 euro, kur të fillojë periudha e gjobitjes, më 21 nëntor.

Por me vendimin e Qeverisë Kurti janë shprehur të zhgënjyera Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilët kishin kërkuar shtyrjen për 10 muaj.