Arbëri

Edhe LDK refuzon ftesën e Haradinajt

Kandidati i nominuar për kryeministër nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, u ka dërguar ftesë liderëve të partive politike, parti këto që kanë siguruar ulëset në Kuvendin e Kosovës, për të diskutuar lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe për krijimin e Qeverisë së re.

Ai e ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje, si subjektin e dytë të dalë nga zgjedhjet, që të diskutojë për formimin e Qeverisë, ndonëse kjo e dyta ka dalë me qëndrimin se Vetëvendosje do ta formojë Qeverinë e ardhshme.

Nisur nga e drejta kushtetuese që i jep, koalicionit PAN, si fituese i zgjedhjeve, të drejtën për formimin e Qeverisë, Haradinaj ka ftuar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, Listën Serbe dhe subjektet tjera joserbe që të bisedojnë dhe në afatin, sipas tij, sa më të shkurtë kohorë të formojnë koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Për të martën, Haradinaj ka ftuar në takime të ndara kryetarin e Vetëvendosjes, Visar Ymerin dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Haradinaj, gjatë një takimi me media, ka thënë se u ka propozuar liderëve të partive politike që t’i zhvillojnë takimet në Kuvendin e Kosovës.

Ftesën e Haradinajt për takim, përveç VV-së, në mënyrë të prerë e ka refuzuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, ka thënë se nuk do të shkojë në një takim të tillë.

“Jo, sepse nuk kemi fare nevojë për takime të tilla. Ne si LDK jemi deklaruar qartë edhe si koalicion, se nuk do të hyjmë në asnjë marrëveshje tani me koalicionin e Partisë Demokratike të Kosovës. Ata e kanë të drejtën, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që të procedojnë. Ne presim që ata t’i kryejnë të gjitha proceset demokratike që duhet t’i bëjnë. Grupi jonë parlamentar, përkatësisht deputetët e koalicionit tonë, do të marrin pjesë në mbledhjen konstituive dhe Kuvendi do të marrë vendim meritor”, tha Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tashmë është hapur rruga që brenda një muaji, të konstituohet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës.

Nga momenti i konstituimit të Kuvendit, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj duhet që brenda 15 ditëve të bëjë propozimin e tij për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Ai pritet që mandatin për kryeministër ta marrë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në rast se zoti Haradinaj, dështon t’i marrë mbi gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për formimin e Qeverisë së re, atëherë procedura përsëritet brenda dhjetë ditësh. Hera e dytë, mbetet në diskrecionin e Presidentit që të vendosë se kujt do t’ia jap mandatin, pa kufizimin që mandatin t’ia japë partisë së dytë apo të tretë, varësisht nga subjekti politik, i cili ia dëshmon Presidentit se ka numrin e nevojshëm të votave për ta zgjedhur Qeverinë, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme.