Arbëri

Edhe LDK-ja refuzon ftesën e Thaçit për takim konsultativ

Kreu i LDK-së, njëherësh kryeministër në detyrë, Isa Mustafa, i cili kishte bërë koalicion me PDK-në derisa ajo drejtohej nga Hashim Thaçi, ka thënë se këtij të fundit, tash president, nuk do t’i shkojë në takim.

Mustafa, në një prononcim në profilin e tij në Facebook ka thënë se LDK-ja që ai udhëheq, nuk do të diskutojë me askënd për qeverisjen PAN.

“Si lider i LDK-së nuk do të marrë pjesë as në takimin e ftuar nga Presidenti, sepse konsideroj që takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputet nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre”, ka thënë Mustafa, transmeton Koha.net.

Thaçi, i cili u bë president me votat e LDK-së, ka ftuar në një takim konsultativ krerët e partive parlamentare në Kosovë.

Thirrjen e tij e ka refuzuar edhe Vetëvendosje, e cila përmes një komunikate për media, ka thënë se Thaçi nuk ka kompetenca ligjore të thërrasë subjektet politike nëpër takime, madje se duhet të thërrasë seancën konstituive, ose në të kundërtën, Vetëvendosje do të veprojë siç është përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovë. Më gjerësisht KËTU

Thaçi ka kohë deri më 8 gusht që të thërrasë për konstituimin e Kuvendit.