Të betonuar në qëndrimet për mospjesëmarrje në votime gjatë seancave e për votim kundër Komisionit për votim të fshehtë për kryeparlamentarin u shprehën deputetë të grupit multietnik, Duda Balje e Veton Berisha. Teksa thanë se qëndrimet e tyre nuk do t’i ndryshojnë as në vazhdimet e ardhshme të seancës konstituive, ata thanë se përgjegjësinë për zhbllokimin e situatës e kanë partitë e mëdha që e përfaqësojnë komunitetin shumicë.
Deputetë nga radhët e grupit multietnik, Duda Balje e Veton Berisha, që nuk kanë gjetur bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, i kanë kritikuar partitë që e përfaqësojnë komunitetin shumicë për mungesë të vullnetit drejt konstituimit të legjislaturës së re.
Në të 17 vazhdimet e seancës konstituive, deputetja Balje nuk ka marrë pjesë në votime teksa deputeti Berisha ka votuar kundër për formimin e Komisionit që do ta mbikëqyrte procesin e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.
Para fillimit të vazhdimit të seancës, Balje theksoi se ajo nuk do të ndryshojë qëndrimin, pasi tha se topi është në fushën e partive shqiptare.
“Partitë shqiptare duhet së pari të bëjnë marrëveshje mes vete. Presidentja ka lënë edhe një kohë shtesë, që ndoshta mund të arrihet ndonjë marrëveshje. Nëse jo, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Por nëse as Kushtetuesja nuk jep një përgjigje decizive, kriza do të vazhdojë dhe kjo është shumë keq për shtetin e Kosovës”, tha Balje.
Me qëndrim të betonuar në votën kundër propozimit për votim të fshehtë është shprehur edhe deputeti i Partisë Liberale Egjiptiane, Berisha.
“Po të kishte vullnet politik, do të zgjidhej çështja. Opsioni i fundit është me dërgu në Kushtetuese, e me u dhënë interpretim për këtë situatë. Unë insistoj që partitë politike, ato kryesoret, të ulen e të bëjnë zgjidhje. Nuk është pengesa te komunitetet. Nëse s’ka vullnet, atëherë nuk duhet humbur kohë e të dërgohet në Kushtetuese. Unë jam me u bë konstituimi i Kuvendit e po presim për një marrëveshje me qeverinë”, deklaroi ai.
Lëvizja Vetëvendosje, si parti e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ka siguruar 48 mandate në Kuvend. Ajo e ka mbështetjen edhe të tetë prej 11 deputetëve të partive që i përfaqësojnë komunitetet joshumicë.