Arbëri

Edhe BE-ja i kërkon Kosovës shtyrjen prej 10 muajsh të afatit për ndërrimin e targave

“Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë i qartë, se vendimi i Kosovës për të ndërruar tabelat e regjistrimit është legjitim”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. “Konkluzat për lirinë e lëvizjes nga viti 2016 përfshijnë një afat kohor për riregjistrim, i cili duhet të ketë edhe udhëzime. Prandaj ne, në bazë të këtij procesi, i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një afat kohor prej 12 muajsh për riregjistrim. Sipas së njëjtës logjikë, tash kërkojmë nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë afatin e tashëm edhe për 10 muaj”

Krahas Shteteve të Bashkuara, edhe Bashkimi Evropian (BE) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta shtyjë afatin përtej 1 nëntorit, për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në ato RKS.

Zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano, e ka konfirmuar këtë të premte dhe ka thënë se kërkohen 10 muaj shtesë për ndërrimin e tabelave të veturave.

“Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë i qartë, se vendimi i Kosovës për të ndërruar tabelat e regjistrimit është legjitim. Megjithatë, sipas marrëveshjes nga dialogu që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, të arritur më 2011 dhe 2016, është me rëndësi që të sigurohet kohë e mjaftueshme për implementimin e këtij plani, dhe që ai të përgatitet dhe zbatohet në konsultime të afërta me qytetarët, ndaj të cilëve ka ndikim, dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane”, thuhet në një përgjigje të këtij zëdhënësi të BE-së.

“Konkluzat për lirinë e lëvizjes nga viti 2016 përfshijnë një afat kohor për riregjistrim, i cili duhet të ketë edhe udhëzime. Prandaj ne, në bazë të këtij procesi, i kemi rekomanduar qeverisë së Kosovës që të vendos një afat kohor prej 12 muajsh për riregjistrim. Sipas së njëjtës logjikë, tash kërkojmë nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë afatin e tashëm edhe për 10 muaj”, ka theksuar Stano.

Sipas zëdhënësit të BE-së, një shlyerje e tillë do të mundësonte një fushatë informimi më inkluzive dhe konsultime me qytetarët përkatës. Kjo, sipas tij, do t’i mundësonte Kosovës që t’ua lehtësojë serbëve në veri marrjen e kartave të identitetit dhe patentë shoferëve të Kosovës.

Serbët nuk i janë bindur deri tash vendimit të Qeverisë së Kosovës që brenda dy muajsh t’i zëvendësojnë targat ilegale të automjeteve, me ato RKS. Ditë më parë, KOHA ka raportuar se për më shumë se një muaj, vetëm 9 qytetarë i kanë ndërruar targat, ani se vlerësohet se rreth 10 mijë automjete në Kosovë posedojnë targa të lëshuara nga Serbia dhe të cilat qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë.

Sipas Qeverisë së Kosovës, nuk do të ndodhë shtyrja e afatit që lidhet me targa, e që është kërkuar dy ditë më parë edhe gjatë vizitës së të dërguarit të posaçëm Amerikan, Gabriell Escobar.

Serbët e veriut, më 31 korrik dhe 1 gusht, kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe. Pas kësaj, Qeveria e pati shtyrë për një muaj nisjen e zbatimit të tyre, me zotimin se një shtyrje të dytë nuk do të ketë.

Megjithëkëtë, në BE druajnë se tensionet mund të rikthehen në veri.

“Çfarëdo eskalimi i tensioneve dhe dhune potenciale në veri të Kosovës duhet të evitohet. Kjo ka rëndësi të veçantë në kontekstin momental gjeopolitik, në kontekstin e ruajtjes së stabilitetit në rajon”, kanë thënë në BE.