Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

BE-ja i kërkon Kosovës të japë kohë të mjaftueshme për riregjistrimin e targave

Bashkimi Evropian ka thënë të enjten se Kosova duhet t’i japë kohë të mjaftueshme zbatimit të vendimit sipas të cilit serbët që jetojnë në veri të Kosovës duhet të riregjistrojnë targat e veturave të tyre nga ato të lëshuara nga Serbia në ato të Kosovës.

Periudha e riregjistrimit të targave ka nisur më 1 shtator dhe zgjatë deri më 30 tetor.

“Është e rëndësishme që t’i jepet kohë implementimit të këtij planit, dhe që të jetë i përgatitur dhe i ekzekutuar në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur nga ai, dhe në linjë me praktikat e mira evropiane”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian për Reuters.

“Konkluzionet e vitit 2016 për lirinë e lëvizjes kanë përfshirë një afat më të gjatë kohor për riregjistrim, që duhet të ofrojë udhëzime për procesin e tanishëm”, shtoi ky zëdhënës.

Zëdhënësi tha se BE-ja u ka kërkuar “të dyja palëve (Kosovës dhe Serbisë) që të përdorin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si platformë për të adresuar dhe për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes tyre, përfshirë atë për targat”.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar që automjetet me targat serbe - si KM, PZ - duhet të konvertohen në RKS – Republika e Kosovës.