Edhe pse Ministria e Infrastrukturës nuk ka pranuar ta bëjë publike ofertën për koncesionin e rrugës Tiranë-Durrës, Top Channel ka arritur të sigurojë disa nga detajet më të rëndësishme të saj.
Burime të besueshme thonë se ofertuesi është një grup i madh indian me disa koncesione autostradash në Azi, por që në Shqipëri është i përfaqësuar nga dy kompani lokale, Albstar, e cila po ndërton stadiumin “Arena Kombëtare” si dhe kompania Trema Inxhiniering.
Por si do të preken qytetarët nga dhënia me koncesion e kësaj rrugë? Studimi i fizibilitetit, që edhe ky nuk është bërë publik nga qeveria, parashikon dy tarifa.
Për automjetet e vogla do të paguhet 2 euro për çdo kalim, ndërsa për automjetet e mëdha tarifa do të jetë 5 euro.
Projekti për dhënien me koncesion të rrugës Tiranë-Durrës parashikon që kompania private të zgjerojë me dy korsi të tjera rrugën kryesore si dhe do të sigurojë rrugë alternativë kalimi pa pagesë.
Bëhet fjalë për rrugën e vjetër Tiranë-Ndroq-Plepa, e cila do të rikonstruktohet po nga kompania private.
Në projektbuxhetin e vitit 2019, qeveria shqiptare ka vënë si vlerë tavan për këtë koncesion shifrën 49.1 miliardë lekë ose rreth 380 milionë euro.
Edhe
Në vjeshtë nuk fillon pagesa, por gara për koncesionim të autostradës Tiranë-Durrës
Dhënia me koncesion e rrugës Tiranë-Durrës është ende në fazë projekti.
Qeveria ka pranuar zyrtarisht se ka marrë një ofertë të pa kërkuar, por Ministria e Infrastrukturës deklaroi se kjo ofertë është në fazë shqyrtimi dhe nuk është vendosur ende nëse do të pranohet ose jo.
Ndaj edhe shifrat si ajo e ndërtimit të rrugës, si tarifa e kalimit, janë ende jo zyrtare dhe do të përcaktohen përfundimisht vetëm nëse ministria e Transporteve vendos ta pranojë ofertën e koncesionit.