Sukseset e xhudistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare, janë kryetemë e së dielës në “Koha Ditore”.
Shkrimi kryesor me titull “Sekretet e suksesit” flet për seriozitetin e punë së trajnerit të xhudos, Driton Kuka, me xhudistet si: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe gjeneratat e reja. Për vetëm një muaj, numri i medaljeve të fituara në këtë sport ka shkuar në plot 12.
Në intervistën e javës Driton Kuka tregon për zhvillimin e xhudos, pavarësisht telasheve të shumta.
“Gruaja që vendos nëse burrat mund t’i kenë dy gra” dhe “Rumania, shteti ku të gjithë janë pronarë banesash”, janë dy prej shkrimeve nga faqet e botës.
Fejton, këtë javë, sjell informacione për nivelin e varfërisë në Shqipëri gjatë viteve të 90-ta.
Kosovarçe sjell artikullin “Ëndrrat e mëdha të futbollistëve të vegjël”, i cili flet për garën e 12 ekipeve të djemve dhe 9 të vajzave për tituj kampioni në turneun e dytë me radhë të organizuar në Kaçanik.
Rubrika e kulturës sjell Musë Prelvukajn, kronistin e dramës shqiptare, nëpërmjet vizatimeve dhe film-bërësin Sami Mustafa që jeton në Francë e i cili ka realizuar dhjetëra dokumentarë që trajtojnë jetën e romëve në Kosovë.
Në monument vjen si kujtesë jeta paralele gjatë viteve të 90-ta, në lagjen “Qafa” të Prishtinës dhe gjendja e saj sot.
Në mesin e shumë shkrimeve interesante nga sporti veçohet ai për kujtimet e bukura të futbollit të Kosovës nga Malta dhe për talenten e klubit të volejbollit Drita nga Gjilani, Ronita Leka, që karrierën do ta vazhdojë në Bundesligën e Austrisë.
Këto dhe shkrime të tjera interesante nga kinematografia, shkenca, teknologjia, moda e shumëçka tjetër, mund t’i lexoni në 82 faqet e numrit të së dielës në “Koha Ditore”.