Arbëri

E arta e pesëfishtë në not, Lucy Meyer bën thirrje për investimin në fëmijët me aftësi të kufizuara në Kosovë

Medalistja e pesëfishtë e artë në sportin e notit në kuadër të Lojërave Speciale Olimpike, Lucy Meyer, ka përfunduar vizitën e saj tre-ditore në Kosovë nën organizimin e UNICEF-it.

Lucy Meyer është ambasadore e fëmijëve me aftës të kufizuar në mbarë botën, dhe është fëmijë që jeton me paralizë cerebrale. Përkundër kësaj ajo ka arritur në majat botërore në sport duke triumfuar dy herë me medalje të artë në not. Kjo falë angazhimit të saj dhe mbështetjes që ka marrë nga familja dhe miqtë.

Përgjatë qëndrimit të saj tre-ditor në Kosovë, Lucy, e shoqëruar nga familja e saj si dhe një delegacion të zyrës së Fondit të UNICEF-it në Amerikë, ka vizituar dy shkolla publike fillore në të cilat janë të integruar fëmijët me aftësi të kufizuar, shkollën fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë si dhe shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Po ashtu Lucy dhe ekipi i saj në bashkëpunim dhe në përcjellje të zyrës së UNICEF-it në Kosovë, kanë realizuar disa vizita në familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuar në Kosovë si dhe takime me prindër dhe fëmijë në organizatën HANDIKOS.

Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, ka theksuar se vizita e Lucyt në Kosovë është një rast i mirë për të reflektuar mbi atë çka mund të arrihet nëse investohet në fëmijët me aftësi të kufizuar.

“Aty ku ju mund të shihni aftësi të kufizuar, ne si UNCEF shohim mundësi. Dhe Lucy Meyer është dëshmia e gjallë për këtë. Fëmijët me aftësi të kufizuar mund të arrijnë potencialin e plotë të tyre nëse ne të gjithë së bashku i mbështesim dhe investojmë për ta”, tha Sahin.

Nga ana tjetër, Lucy Meyer tha se ajo dëshiron të bëjë gjithçka për të ndihmuar fëmijët që jetojnë me aftësi të kufizuara. “Fëmijët janë njerëzit e mi të preferuar, veçanërisht fëmijët që jetojnë me aftësi të kufizuara. Fëmijët duhet të kenë mundësi të njëjta për të përjetuar saktësisht të njëjtat gjëra”, tha ajo.

Së bashku me Lucy Meyer, shefi i zyrës së UNICEF-it dhe koordinatorja për zhvillim në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë kanë takuar edhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Phillip Kossnet, dhe i cili u takua edhe me të rinjtë që përfaqësojnë fëmijët me aftësi të kufizuara në Kosovë për të diskutuar në lidhje me investimet e mundshme për fëmijët që jetojnë me aftësi të kufizuar.

UNICEF-i mbetet i përkushtuar që të garantojë gjithpërfshirje të fëmijëve pa dallim, dhe kjo nënkupton edhe përfshirje sa më të madhe të fëmijëve që jetojnë me aftësi të kufizuar në jetën publike dhe shoqërore, në edukim, qasjen e tyre në shërbime cilësore shëndetësore edhe sociale dhe mbi ë gjitha në të gëzuarit e të drejtës për të qenë të lumtur.