Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndaluar katër persona për keqpërdorim të pozitës zyrtare e për ryshfet gjatë disa procedurave tenderuese në Ministri të Punëve të Brendshme.
Policia e Kosovës ka bërë të se në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka zhvilluar të hënën një operacion policor, ku janë kontrolluar disa lokacione e janë ftuar për intervestim disa të dyshuar.
Për të dyshuarit A.S., B.B. dhe N.Sh. është thënë se ekziston dyshimi se në cilësi të personave zyrtarë gjatë realizimit të disa procedurave tenderuese dhe realizimit të disa projekteve në Ministri të Punëve të Brendshme të Kosovës kanë marrë ryshfet nga operatori ekonomik i kontraktuar për kryerje të projekteve.
Ndërsa të dyshuarit N.S. dhe G.H. në cilësi të përfaqësuesve të operatorit ekonomik dyshohen për dhënie të ryshfetit me qëllim të “krijimit të përparësive të paligjshme gjatë realizimit të projektit për ndërtimin e një objekti të një agjencie dhe projekteve tjera të zhvilluara në MPB”.
Po ashtu dyshohen edhe për “dokumente të rrejshme lidhur me tatimin”.
“Gjatë bastisjeve janë sekuestruar dëshmi dhe pajisje në cilësi të provave materiale”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Të dyshuarit A.S., B.B., N.S. dhe G.H. janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër N.Sh. është liruar në procedurë të rregullt.