Arbëri

Dyert e institucioneve arsimore rrezikohen të mos hapen për nxënësit më 1 shtator

Dyert e institucioneve arsimore rrezikohen të mos hapen për nxënësit më 1 shtator, kjo pasi Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, ku bën pjesë edhe ajo e Arsimit, kanë vendosur të shkojnë në grevë të përgjithshme nga 25 gushti.

Kanë thënë se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesës së tyre për marrjen e shtesave prej 100 eurosh për çdo muaj deri në miratimin e Ligjit për Paga.

Edhe pse nuk e kanë parë përmbajtjen e Projektligjit për Paga, që të mërkurën u procedua për në diskutim publik, sindikalistët thonë se nuk e pranojnë atë.

“Ligji për ne nuk ekziston se nuk e kemi parë dhe nuk e duam një ligj në të cilën nuk kemi marrë pjesë edhe ne, sepse i kemi kërkesat e qarta edhe të sistemit arsimor”, tha kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës, Rrahman Jasharaj.

Për marrjen e veprimeve sindikale ata fajësojnë Qeverinë për mospërfillje të kërkesave të tyre.

“Ne kemi bërë një rrugëtim 1 vit gati, duke iu dërguar shkresa e shkresa. Madje ka ndodhur edhe ajo që nuk ndodh në shekullin 21, kemi dërguar ndërmjetësuesin ligjor për ta nxitur dialogun”, tha Jasharaj.

Nga mosdakordimi i sindikatave me Ekzekutivin, nxënësit thonë se ata do ta pësojnë më së shumti. Në Këshillin e Nxënësve u kanë bërë thirrje atyre që të gjejnë gjuhë të përbashkët.

"Për ne është shumë e rëndësishme që mos të ketë vonesa në fillimin e vitit shkollor, ne nuk i përkrahim, në të njëjtën kohë as nuk jemi kundër kërkesës së mësimdhënësve, gjithashtu nga ky pozicion si nxënës u bëjmë thirrje të dyja palëve që të arrijnë një marrëveshje", tha Denis Krasniqi, nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës.

Fillimi i grevës rrezikon edhe mbajtjen e Testit të Maturës Shtetërore që është paraparë më 27 gusht. Në Kolegjiumin e Arsimit Parauniversitar thonë se dëmet do të jenë të pariparueshme.

“E jona nuk është të diktojmë format e reagimit, por të paralajmërojmë që si komuna nxënësit do të përballen me humbje të cilat konsiderojë që do të jenë të pariparueshme”, tha Shahini, kryesues i Kolegjiumit të Arsimit Parauniversitar.

Vendimin e sindikatave Ekzekutivi nuk e ka komentuar. Ndërkaq ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë në Projektligjin për Paga.

Përveç shtesave prej nga 100 euro, sindikalistët kërkojnë ndryshimin e skemave pensionale, si dhe zbatimin e Ligji për sigurime shëndetësore.