Prishtinë, 26 nëntor - Tre këshilltarë komunalë, dy në Fushë-Kosovë e një në Podujevë, janë gjetur në konflikt interesi nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK). Të tre këta zyrtarë publikë, Ali Zogiani (LDK), Driton Hasolli (AKR) - të dy këshilltarë komunalë në Fushë-Kosovë, dhe Agim Behluli (LDK), këshilltar komunal në Podujevë, në të njëjtën kohë kanë qenë edhe pronarë biznesesh private.
E kjo, sipas Kundërkorrupsionit, është në kundërshtim me Ligjin nr. 06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Agjencia kishte filluar të trajtonte këto tri raste të ndara, pasi kishte identifikuar se Ali Zogiani krahas ushtrimit të funksionit publik ishte edhe person i autorizuar në biznesin privat “Ali Baba”. Njësoj ishte edhe këshilltari Driton Hasolli - person i autorizuar në biznesin N.SH.T. “DA-PHARM” dhe këshilltari Agim Behluli - person i autorizuar në biznesin privat NTP “KOS COMMERC”.
Agjencia nëpërmjet shkresave zyrtare i kishte njoftuar zyrtarët e lartë për fillimin e procedurave për shqyrtimin e gjendjes së konfliktit të interesit dhe pas kësaj kishte organizuar edhe takime me ta në zyrat e AKK-së. Zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit, sipas këtyre vendimeve, i kishin njoftuar të lartpërmendurit se gjatë ushtrimit të funksionit publik nuk mund të jenë edhe persona të autorizuar në biznese private, pasi një situatë e tillë paraqet gjendje të konfliktit të interesit.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)