Mot i mirë dhe stabil do të vazhdoj edhe për 13-14 ditët e shkurtit, sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.
IHK-ja ka thënë se gjatë kësaj periudhe mbetemi nën ndikimin e këtyre temperaturave të larta, dukshëm mbi vlerat e mesatareve.
“Në këtë periudhë do të vazhdoj ngrohja e ajrit stratosferik dhe do të ndikoj në devijimin e erërave me lartësi të mëdha dhe në këtë situatë do të ketë depërtim apo ç'vendosje të ajrit polar në Troposferë në gjerësitë e Evropës nën 60° të gjerësisë veriore”, ka shpjeguar Besim Aliu nga Instituti.
Ndërsa, në gjysmën e dytë të muajit shkurt parashihen temperatura të ulëta.
“Nga data 13-14 shkurt ajri i ftohët mbi Evropën Perëndimore dhe Alpe do të rrugëtoj drejt Mesdheut qendror, gjë që do të krijoj mundësinë e krijimit të Cikloneve dhe kushteve për reshje të borës. Në të njëjtën periudhë, fushat e presionit të lartë do të forcohen mbi Evropën perëndimore. Këto sinjale tregojnë se gjysma e dytë e muajit shkurt parashihet me temperatura të ulëta deri në fillim të marsit”, ka thënë Aliu.