Zotimet që Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë kishin dhënë para SHBA-së, në shtatorin e vitit 2020, njihen gjerësisht si “Marrëveshja e Washingtonit”.
Dhe bazuar në ato zotime të firmosura ndaras nga tashmë ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kosova e Serbia ishin pajtuar që njëra të mos kërkonte njohje të reja e tjetra çnjohje. Ky memorandum ishte 1-vjeçar dhe skadoi në shtatorin e vitit të shkuar.
Sot, kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Vuçiqi tha se “është shkelur Marrëveshja e Washingtonit”, duke iu referuar memorandumit 1-vjeçar.
Por sipas kësaj marrëveshje, Serbia ishte pajtuar të bartte ambasadën e saj në Izrael, nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që nuk e ka bërë.
Politologu Ognjen Gogiq, për portalin e pavarur “European Western Balkans”, thotë se janë dy arsye pse Vuçiqi po thirret në këtë marrëveshje që as vetë nuk e ka respektuar.
“Së pari, ndoshta është dokumenti i vetëm për të cilin kanë rënë dakord Beogradi dhe Prishtina, i cili përcakton se Kosova do të heqë dorë nga aspiratat e saj për t'u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare. Përveç kësaj, presidenti Vuçiq nuk mund të thirret shumë, duke pasur parasysh se dokumentet e dala nga dialogu i Brukselit parashikojnë të kundërtën: që Serbia dhe Kosova të përmbahen nga përpjekjet për të bllokuar njëra-tjetrën në rrugën drejt BE-së”, shpjegoi Gogiq arsyen e parë.
E, e dyta sipas tij, lidhet me marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së, të cilat janë vënë “në pikëpyetje” në kontekstin e krizës në Ukrainë.
Serbia po refuzon të vë sanksione ndaj Rusisë, e cila ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
“Marrëveshja e Washingtonit është rezultat i diplomacisë amerikane. Duke i dhënë rëndësi dokumentit, Serbia shpreh mirënjohjen e rolit të Shteteve të Bashkuara në dialogun me Kosovën. Kjo vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara janë vënë në pikëpyetje për shkak të situatës në Ukrainë. Duke iu kthyer Marrëveshjes së Washingtonit, Serbia dëshiron të tregojë se e vlerëson trashëgiminë amerikane në këtë proces. Kjo mund të jetë një mënyrë për të zbutur presionin që lufta në Ukrainë la në marrëdhëniet amerikano-serbe”, shtoi Gogiq.
Kosova të enjten aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.