Arbëri

Durmishi i përgjigjet Haradinajt: Je në siklet sepse s’mund të bëni më keqpërdorime

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi ky në Kuvend shfaqi një fotografi të Durmishit me pronarin e një kompanie për të cilën tha se ka fituar tenderë menjëherë pasi Vetëvendosje erdhi në pushtet. Durmishi ka pranuar se e njeh pronarin e kompanisë. Megjithatë ai e ka quajtur manipulim akuzën e Haradinajt teksa e ka akuzuar se “është në siklet sepse s’mund të bëjë më keqpërdorime”.

Në një reagim në Facebook, Durmishi ka thënë se akuza e Haradinajt para deputetëve “flet për mendësinë e tyre se si kanë vepruar kur kanë qenë në pushtet”.

“Si rezultat i ndërhyrjeve dhe urdhrave direkte të tyre sot ministria është në gjendje të tillë me shumë borxhe e shumë probleme. Ramushin e ka kap njëfarë sikleti kohëve të fundit. Në fillim nuk e kuptoja por tani secilën ditë që po kalon po e kuptoj më mirë. Ramushit po i pengon shumë që unë e kam anuluar kontratën e mirëmbajtjes dhe sidomos sepse e kam ndal ndërtimin e rrugës në zonë të mbrojtur e që bëhej ekskluzivisht për vilat e bashkëpartiakëve të tij të ndërtuara në pronë publike”, ka thënë Durmishi. “Prandaj sulmin e ka ndaj meje dhe ministrit duke shpifur për ne”.

Durmishi ka shkruar se një nga problemet që kanë gjetur në ministri ka qenë “bllokimi i disa projekteve që nga viti 2019”. Sipas tij, “njëzet aneks kontrata kanë qenë në pritje vetëm për nënshkrim nga zyrtarët e prokurimit”.

“Këto kontrata kanë qenë të kompletuara me dokumentacion, duke filluar nga konstatimi i menaxherit të kontratës në ditar të punës dhe kërkesa zyrtare për aprovim nga menaxhmenti, duke vazhduar me raportet e komisioneve profesionale që i verifikojnë të gjitha këto pozicione në teren dhe në fund kemi rekomandim nga auditori i brendshëm i ministrisë që 19 nga 20 kontratat të nënshkruhen. Ditën kur është nënshkruar aneks kontrata me kompaninë e apostrofuar janë nënshkruar edhe 7 kontrata tjera dhe unë nuk e di cila është nënshkruar e para sepse unë nuk nënshkruaj kontrata”, ka shkruar ai.

Durmishi njohjen e tij me biznesmenin për të cilin e akuzoi Haradinaj e ka arsyetuar se e lidh profesioni.

“Unë jam inxhinier me profesion dhe shumicën e kompanive i njoh që moti sepse na ka lidhë profesioni. Pronarin e kësaj kompanie unē e njoh që nga viti 2001. Në kohën kur nuk kam pas funksion egzekutiv unë kam bashkëpunuar me kolegët e mi të profesionit dhe e kam ndihmuar edhe kompaninë në fjalë me këshilla profesionale sidomos në fushën e menagjimit. Fotoja që është publikuar është e vitit 2019. Prandaj mos manipulo Ramush. E di që je në siklet të madh sepse ti dhe ata që kanë keqpërdorur nuk mund ta bëni më dhe kjo ështē mirë për shtetin e qytetarët. Secili vendim që do ta marrim do të jetë në dëm tuajin e në të mirë të qytetarëve”, ka thënë ai teksa në fund duke thënë se Haradinaj jeton në luks e ka pyetur atë se “a thua si e bëtë gjithë këtë pasuri?”.

Të enjten, Haradinaj akuzoi Qeverinë Kurti se qeveria e tij po përcjell sinjale se është më e korruptuar se të kaluarat.