Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Durmishi: Fondi prej 500 mijë eurove për industrinë e qumështit, i pamjaftueshëm

Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Qumështoreve të Kosovës, Gani Durmishi, ka deklaruar se fondi prej 500 mijë euro i ndarë për këtë industri, është i pamjaftueshëm.

I ftuar të mërkurën në emisionin SOT në KTV, ka akuzuar qeverisjen aktuale se e ka lënë anash industrinë e qumështit, teksa ka shtuar se me fondin prej 500 mijë eurosh kjo industri nuk mund të zhvillohet dhe të arrijë standardet për eksport.

“Fondi prej 500 mijë eurove për përpunuesit e qumështit në nivel Kosove, për ne është i pamjaftueshëm, është simbolik, kjo industri nuk mund të zhvillohet dhe të arrijë standardet që të përgatitet për eksport. 500 mijë euro te ne në këtë industri janë shumë pak sepse edhe pajisjet nëse dëshirojmë ta marrim të re, nuk mundemi me këto standarde sepse janë shumë të shtrenjta. Qeveritë e kaluara dhe bashkësia evropiane përmes bankave për zhvillim ekonomik na kanë ndihmuar për t’u zhvilluar kjo industri. Kohën e fundit qeveria aktuale po na duket se na ka lënë paksa anash, kjo shoqatë ka qenë gjithnjë e thirrur nga institucionet tona që bashkë t’i gjejmë pikat e forta dhe të dobëta, por kohët e fundit kemi çuar disa shkresa fillimisht, kemi bashkëpunuar me ministrinë e Rozeta Hajdarit, por me Ministrinë e Bujqësisë që duhet të jetë zëdhënëse e kësaj lëmie, prej kur ka ardhur z.Peci, një takim e kemi pasur me të, pa marrë parasysh shkresat nuk ka na ftuar në takim”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Ministria e Bujqësisë u ka kthyer përgjigje duke i ftuar në shtator që të diskutojnë.

Teksa bëri të ditur se 45 qumështore janë të licencuara dhe 33 prej tyre janë aktive në prodhim, Durmishi ka thënë se bazuar në statistikat në terren, Kosova ka kapacitete për përpunimin e një milion litrave brenda ditës.

“Jo që mund t’i furnizojmë me përpunim konsumatorët tonë, por ndoshta do të mund edhe të eksportonim në vendet e regjionit”, ka thënë ai.