Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Durmishi: Anëtarësimi i Kosovës në Kartonin e Gjelbër, pengesë politike

Kosova ka kryer të gjitha kriteret teknike për anëtarësim në Byronë e Kartonit të Gjelbër, dhe pjesa tjetër tani është krejtësisht politike, ka thënë zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në një përgjigje për KOHËN të premten.

Durmishi ka thënë se hapat që i kanë ndërmarrë ka bërë që për një kohë të shkurtër t’i plotësojnë të gjitha kriteret teknike që kërkohen për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër.

“Hapat të cilat i kemi ndërmarr si institucione kanë bërë që për një periudhë të shkurtër kohore t’i plotësojmë tashmë të gjitha kriteret teknike për anëtarësimin në Byronë e Kartonit të Gjelbërt. Vendosja e stikersave të cilën e kemi filluar në mars të këtij viti dhe atë me kosto zero për qytetarët dhe disa masa tjera nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë bërë që numri i automjeteve të paregjistruara të zbret nën pragun prej 5% që ishte kriteri kryesor teknik. Tani pjesa tjetër është politike”, ka thënë Durmishi.

Pengesa kryesore është se Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por Durmishi është shprehur optimist se me përkrahjen e shteteve mike do të ketë një zgjidhje.

“Jemi duke punuar shumë që ta tejkalojmë këtë problem politik dhe kemi shumë shpresa që shumë shpejt do të jemi pjesë e Kartonit të Gjelbër. Në këtë rrugë kemi shumë përkrahje nga shtete tona mike dhe besoj në zgjidhje sa më të shpejtë”, ka thënë tutje ai.