OpEd

Çka ka, çka s’ka me Kartonin e Gjelbër

‘‘…një gjë kam kuptuar sidoqoftë, se kushdo që përmend ndërlidhjen e Kartonit të Gjelbër me mosanëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB, duhet të hetohet nga prokuroria një ditë, nëse do të ketë prokurori, nëse do të funksionojë ndonjëherë sistemi i drejtësisë në vend’’

Kushedi çfarë kishte thënë me vete Greet Flore, sekretare e Byrosë Evropiane të Kartonit të Gjelbër, kur kishte pritur delegacionin kosovar në krye me Dardan Gashin, atëbotë ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike njëkohësisht zëvendëskryeministër, zëvendësministrin Arian Daci - i cili nuk jeton më – ambasadorin Bernard Nikaj dhe mua si këshilltar, që po merrja shënime nga takimi që po ndodhte në Bruksel.

Për zonjën Flore nuk ishte hera e parë dhe as e fundit që po priste në takim delegacione qeveritare nga Kosova për çështjen e Kartonit të Gjelbër. Madje zonja Flore kishte ardhur edhe në Kosovë për të përsëritur përgjigjen se zgjidhja e çështjes së Kartonit të Gjelbër ka ekzistuar gjithmonë.

I lumturuar pas takimit se zgjidhja po ekzistuaka, e pata shkruar komunikatën me titull: ‘‘Optimizëm nga Brukseli për çështjen e Kartonit të Gjelbër‘‘. Por kjo komunikatë me gjasë ishte për të bërë merak apo për të rritur pazarin ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve, e cila po luftonte me të gjitha forcat për gati 2 dekada me radhë që kjo çështje të mos gjente zgjidhje.

Pse jo, kur kjo industri po fitonte qindra milionë euro nga kjo situatë.

Për presionin e qeverisë Haradinaj 2 ndaj BKS-së pastaj heqjen dorë, mbase do të shkruaj herën tjetër. Por, një gjë kam kuptuar sidoqoftë se kushdo që përmend ndërlidhjen e Kartonit të Gjelbër me mosanëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB duhet të hetohet nga prokuroria një ditë, nëse do të ketë prokurori, nëse do të funksionojë ndonjëherë sistemi i drejtësisë në vend.

Dorëheqja e pakuptimtë e Sami Mazrekut

Ditë më parë Sami Mazreku njoftoi për dorëheqjen, pasi ishte emëruar në krye të Byrosë Kosovare të Sigurimeve në mars të vitit 2021, pak para formimit të qeverisë Kurti 2 – po në mars të atij viti.

Mazreku ka dy deklarata për çështjen e Kartonit të Gjelbër. Njëherë e përmend ndërlidhjen e Kartonit të Gjelbër me mosanëtarësimin e Republikës në OKB dhe herë tjetër përmend zgjidhjen përmes alternativës, siç është kjo përmes një shteti të tretë.

Arsyet e dorëheqjes së Mazrekut të prezantuara nga ana e tij përmes një statusi në Facebook kanë të bëjnë me mosaprovimin e disa kërkesave. Mazreku përmend: “... mosaprovimin e buxhetit për edukim financiar, ku përfshihet publikimi i gazetës, mirëmbajtja e ueb-faqes, organizimi i tryezave, konferencave me gazetarë, seminareve me gazetarë, dizajnimi i grafikave etj.“, që ia paskan pamundësuar vazhdimin e punës.

Mbase arsyet e vërteta të dorëheqjes së Mazrekut nuk do t’i kuptojmë kurrë!

Zotimi i kryeministrit Kurti për zgjidhjen e Kartonit të Gjelbër

Të gjitha rrugët të çojnë te Hysen Durmishi.

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që po merret ekskluzivisht me çështjen e Kartonit të Gjelbër, ka bërë një hap para kur njoftoi, rreth 2 vjet më parë, se kishte arritur – përmes vendosjes së letrave ngjitëse – të ulin numrin e veturave të paregjistruara si parakusht i fundit për zgjidhjen e çështjes së Kartonit të Gjelbër.

Ndonëse shifrat e dhëna nga Policia e Kosovës - qysh në kohën e qeverisë Haradinaj 2 - për numrin e veturave të paregjistruara ishin pesëfish më të vogla sesa ato që paraqiste BKS-ja, megjithatë, le ta konsiderojmë këtë si një hap para.

Por, që nga viti 2022 është harruar puna e Kartonit të Gjelbër, ndonëse, siç kishte deklaruar edhe vetë Durmishi, tashmë kjo çështje i takon politikës. Ashtu ka qenë gjithmonë them unë, sepse asnjëherë nuk ka qenë në dorën dhe as në interesin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Çështja e Kartonit të Gjelbër është njëra nga vjedhjet më të mëdha multimilionëshe në Republikën e Kosovës nga paslufta - që kishte mbetur e pazgjidhur veç për arsye të përfitimit material të individëve nga politika që të lodhin ditë e natë me patriotizma.

Nuk është se nuk është shkruar e folur për Kartonin e Gjelbër. ‘‘Krim‘‘ e ‘‘Plaçkitje‘‘ nga ‘‘Mafia e sigurimeve‘‘ e kishte konsideruar këtë 8 vjet më parë në Kuvend ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, duke i bërë përgjegjës me emra dy të afërmit e dy liderëve politikë në krye të BKS-së. Për Kartonin e Gjelbër kanë folur dhe ish-deputetë të partive politike, si Naser Osmani nga radhët e LDK-së. Për Kartonin e Gjelbër ka reaguar edhe aktualisht presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Për çështjen e Kartonit të Gjelbër kanë reaguar dhe shoqatat nga diaspora. Për Kartonin e Gjelbër kanë shkruar - më shumë se një dekadë më parë - dhe gazetarë si Adriatik Kelmendi.

Së fundi ishte dhe zotim nga kryeministri aktual Albin Kurti se çështja e Kartonit të Gjelbër do të zgjidhet.

Gati 3 vjet në krye të Qeverisë, unë dua të besoj ende te kryeministri, por më pak te Hysen Durmishi dhe aspak tek Prokuroria për të hetuar këtë çështje.

Pas liberalizimit të vizave për Kosovën, si dhe njohjes së pasaportave nga Spanja, pas njohjes së targave të automjeteve nga Serbia nga janari i këtij viti, ngecja në çështjen e Kartonit të Gjelbër thjesht nuk ka kuptim.

Autori është gazetar dhe ish-këshilltar politik