Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, njëherësh i mbijetuar i masakrës së Dubravës, ka njoftuar se në shkresën me të cilën i është drejtuar të hënën Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë lidhur me hetimin e kësaj masakre, ka ofruar fakte të mjaftueshme për zinxhirin komandues që e ka planifikuar dhe ekzekutuar masakrën.
Sipas tij, ka bazë të mjaftueshme juridike që të fillojë hetimi.
“E dimë se kush dhe kur është marrë, është zinxhiri komandues që nga ministri i drejtësisë zv.ministri i Drejtësisë asaj kohe, drejtori i Burgut, mbikëqyrësi – komandanti i burgut e deri te mbikëqyrësi që ishte atë natë në ndërrim. Dihen me emra, Branko Komatina është mbikëqyrësi i fundit që e ka marrë profesor Ukshin Hotin dhe e ka përcjellë deri jashtë, prej aty nuk dihet më për fatin e tij. Tash jemi në vigjilje të përvjetorit të masakrës së Dubravës dhe tash e 24 vjet nuk ka ndonjë proces gjyqësor që është ndërmarrë në ndonjë institucion të drejtësisë dhe pikërisht nga ky fakt kam marr iniciativën që t’i drejtohem Gjykatës Speciale, përkatësisht prokurorit Alex Ëhiting. Jo vetëm që duhet të fillojë hetimi, por janë bazë e mjaftueshme juridike që të fillojë sepse tani më nuk ka asnjë dyshim që prokurori i Dhomave të Specializuara në Hagë ka edhe juridiksion lëndor, mos të flasim për tri juridiksionet tjera që janë territorial, personal dhe kohor. Në pjesën e dytë kam ofruar fakte të mjaftueshme për zinxhirin komandues që ka planifikuar dhe ekzekutuar masakrën e Dubravës”, ka thënë ai të martën në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Dugolli ka shtuar se askush nuk është dënuar për këtë masakër edhe pse janë mbajtur disa procese gjyqësore në Serbi.
“Përmendi edhe hulumtime të shumta që janë bërë në Serbi nga gazetarë të ndryshëm investigativ, gjithashtu përmendi edhe faktet e përmbledhura nga Fondi Humanitar në Serbi që i prin Natasha Kandiq. Përmendi faktet kryesore që janë 116 shqiptarë të burgosur të vrarë, një është i zhdukur, Ukshin Hoti, dhe numri i të mbijetuarve të identifikuar është 771, prej tyre 185 janë të plagosur. Masakra e Dubravës ka mbetur në njëfarë forme e pazbardhur. S’ka njerëz të dënuar për këtë masakër, ka pasur disa procese në Serbi, por nuk kanë shkuar deri në fund. Ka një kallëzim penal nga Natasha Kandiq, por nuk ka të dënuar sepse procesi ka mbetur në gjysmë”, ka thënë ai.
Edhe
Dugolli sërish me shkresë për Specialen: Prokurori ka juridiksion ta hetojë masakrën e Dubravës
Sipas Dugollit, procesi gjyqësor që po mbahet në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është jotransparent.
“Nuk kemi parë në praktikat gjyqësore që ka një gjykim kaq të mbyllur për opinionin publik, por janë çështje të gjykatës. Dua të besoj që gjykatësit janë kredibilë dhe do të marrin vendime të drejta. Besoj në pastërtinë e UÇK-së, besoj në pafajësinë e tyre”, ka thënë ai.
-
Dugolli i kërkon Gjykatës Speciale të nisë hetime për masakrën e Dubravës
-
Dugolli kërkon nga Gjykata Speciale të nisë hetimet për Masakrën e Dubravës
-
Dugolli për masakrën e Dubravës: U intervistova, u tregova fakte dhe emra se kush ishin përgjegjës
-
Prokuroria Speciale: Janë identifikuar 44 të dyshuar për masakrën e Dubravës