Në burgje të Kosovës janë sekuestruar në vazhdimësi lëndë narkotike. Gjatë vitit të shkuar dhe në pesë muajt e parë të këtij viti, janë evidentuar 88 raste të tilla. Sipas Shërbimit Korrektues, qendra me numrin më të madh të rasteve është ajo e Dubravës. E në organizatën që e bën monitorimin e burgjeve thonë se depërtimin e këtyre substancave, por edhe të mjeteve të rrezikshme nëpër qendra korrektuese, e mundësojnë vetë të punësuarit aty
Janë evidentuar 88 raste të sekuestrimit të lëndëve narkotike gjatë vitit të shkuar dhe gjatë periudhës janar-maj të këtij viti, nëpër burgje të Kosovës.
Bazuar në të dhënat e siguruara nga Shërbimi Korrektues, lloji i substancës narkotike që është sekuestruar në sasinë më të madhe është ajo e marihuanës, teksa qendra korrektuese me numrin më të madh të rasteve është ajo e Dubravës.
“Gjatë vitit 2024 janë sekuestruar rreth 650 gramë substancë e dyshuar narkotike, ndërsa gjatë vitit 2025 (janar-maj), rreth 26 gramë. Në hyrje të institucioneve tona përdorim skanerë digjitalë dhe detektorë, të cilët na ndihmojnë në zbulimin e tentativave për kontrabandim”, thuhet në një përgjigje të Shërbimit Korrektues.
Krahas substancave narkotike, nga burgjet e Kosovës janë sekuestruar edhe mjete të rrezikshme.
“Nuk ka pasur asnjë rast të sekuestrimit të armëve. Sa u përket mjeteve të tjera të rrezikshme, janë evidentuar 48 raste të mjeteve të improvizuara (bizë/shpuese), të krijuara nga të burgosurit”, thuhet në përgjigje.
Në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), i cili e bën monitorimin e burgjeve, kanë thënë se depërtimi i këtyre lëndëve dhe mjeteve brenda qendrave korrektuese mundësohet nga stafi.
“Mjetet narkotike janë të pranishme në burgjet e Kosovës. Ne, në bazë të përvojës që e kemi se çdo gjë që hyn në burg, qoftë mjete narkotike, qoftë ndonjë armë eventuale, kjo kryesisht hyn përmes punëtorëve të burgut. Pra, ata të cilët janë të punësuar në burg, pavarësisht në çfarë cilësie, staf apo diçka tjetër, ata mund t’i fusin këto mjete brenda”, ka thënë Behxhet Shala, kryetar i KMDLNJ-së.
Ai e përjashton mundësinë që familjarë të të burgosurve ta mundësojnë hyrjen e lëndëve narkotike nëpër burgje, pasi thotë që ata, para hyrjes në qendra korrektuese për vizita, u nënshtrohen kontrolleve të detajuara dhe me skanerë.
Të premten e kësaj jave, Shërbimi Korrektues ka njoftuar se e ka realizuar një bastisje të qëllimshme në Qendrën Korrektuese të Dubravës, për identifikimin dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme. E, me këtë rast, sipas Shërbimit, nuk është gjetur asnjë material i ndaluar apo substancë e jashtëligjshme.