Shemsedin dreshaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani ka rënë nën ndikimin e pushtetit qendror dhe se ka dështuar ta luajë rolin konstruktiv. Këto i ka cilësuar si arsyet përse AAK-ja bojkotoi fjalimin përmbyllës të vitit të presidentes para deputetëve në Kuvend të premten.
“Punën e parlamentit e keni pa. Pak ka mbetur parlamentare, pak ka mbetur të debatohet sepse janë krijuar dy blloqe të cilat vëllai i madh i ka kushtëzuar të mos kenë komunikime. Madhështia e të madhit është që ta afrojë të voglin. Vëllai i madh është Qeveria. E patë debatin e djeshëm ku nga 64 amendamentet e propozuara nga deputetët e Kuvendit, asnjëra s’gjeti vend të mbështetej nga mazhoranca (në ligjin për Buxhetin). Presidentja ka tentuar ta luajë rolin konstruktiv por s’ka arritur. Ka rënë në influencën e pushtetit aktual. Kjo ishte një nga arsyet pse si grup parlamentar dhe si parti kemi vendosur të mos marrim pjesë në fjalimin e përmbylljes së vitit nga ana e presidentes”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Sipas Dreshajt, Osmani ka dështuar “ta bindë ekzekutivin që të jetë bashkëpunues me opozitën”.
Dreshaj e ka vlerësuar të dëmshëm drafstatutin e propozuar nga ndërkombëtarët për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë se ky draft mundëson sistem paralel dhe cenim të sovranitetit të vendit.
Ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta kushtëzojë Asociacionin me anëtarësimin e plotë në NATO.