Me kërkesë të Drejtorisë për Planifikim dhe Urbanizëm, gjatë ditës së sotme inspektorët komunal kanë ndërmarr aksionin për heqjen e panove reklamuese, tabelave për njoftime afariste, si dhe dekoreve e reklamacioneve të ndryshme të vendosura në shtylla e hapësira të tjera publike, pa lejen adekuate nga autoritetet komunale, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Deri më tani janë hequr këto materiale në afërsi të urës së Ibrit, bankës “TEB”, tek xhamia ”Isa Beg”, në afërsi të kompanisë “Ipko”, mbi “Urën e Gjakut” si dhe në disa segmente të tjera.
Tutje bëhet e ditur se ky aksion do të vazhdojë edhe në lokacione të tjera brenda territorit të komunës së Mitrovicës.
“Këto veprime janë ndërmarrë me qëllim të lirimit të hapësirave publike, gjegjësisht heqjen e shtandeve (tezgave), reklamacioneve të ndryshme si dhe materialeve të tjera të vendosura pa leje adekuate të cilat pengojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve. Kompania “Lirigzoni”, është e kontraktuar nga komuna për heqjen e panove reklamuese ndërsa monitorimin e zbatimit të këtij vendimi po e bëjnë inspektorati komunal dhe Drejtoria e Urbanizmit”, thuhet në komunikatë.
Me këtë rast, Komuna e Mitrovicës, bënë thirrje tek të gjitha subjektet afariste dhe qytetarët e interesuar që të aplikojnë për lejen përkatëse për vendosjen e materialeve të tilla, në bazë të kushteve të planifikimit urban, gjithmonë në interes të qarkullimit të lirë të qytetarëve.