Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë kërkon dialog sindikata-Qeveri

Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka bërë thirrje për dialog ndërmjet sindikatave dhe Qeverisë, në mënyrë që të vijë deri të ndërprerja e grevës së përgjithshme.

Musmurati ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së dialogu është e vetmja mënyrë që t’i bëjë palët bashkë, e jo siç ka thënë, konferencat për shtyp nga të dyja palët.

“Ne dëshirojmë që mësimi të fillojë sa më shpejt dhe mendoj që kemi zgjat dorën për aq sa kemi mundur tek të dyja palët në mënyrë që të kemi një dialog sa më të shëndoshë që mësimi të fillojë sa më shpejtë. Kemi qenë në takim të gjitha komunat, ku drejtorët e Arsimit kemi dhënë propozimin tonë mirëpo tani ministria ka kontakt me SBASHK-un. Vetëm dialogu është mënyra e vetme që t’i bëjë palët bashkë e jo këto konferenca t famshme për shtyp”, ka thënë Musmurati.

Ajo ka thënë se greva është duke vazhduar në të gjitha shkollat e Prishtinës, derisa ka shtuar se mësimdhënësit duhet ta tejkalojnë veten dhe të mendojnë për fëmijët.

“Mësimdhënësit ta tejkalojnë veten dhe të mendojnë për fëmijët. Ta gjejmë një mënyrë qe t’i zgjasim dorën njëri-tjetrit që të gjejmë zgjidhje. Dëmi është i madh sepse çdo ditë e humbur është shumë e madhe për fëmijët e sidomos shtatori që ka simbolikën e madhe. Çdo ditë e humbur është tejet problematike, ne duhet të ofrojmë të gjitha kapacitetet tona që të vazhdojë mësimi”, është shprehur Musmurati.

Ndërkaq, duke folur për sigurinë në shkolla, ajo ka bërë të ditur se komuna është në fazën e hartimtit të planit të sigurisë në shkolla dhe se shumë shpejt do ta bëjë publik atë.

Edhe SBASHK: S’shkojmë më në takime të stilit ju heshtni e pranoni ato që themi ne Arbëri SBASHK: S’shkojmë më në takime të stilit ju heshtni e pranoni ato që themi ne

Greva e përgjithshme në sektorin publik ka nisur më 25 gusht. Punonjësit publik po kërkojnë 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit për Paga i cili ende nuk ka dalë në diskutim publik.

Qeveria e Kosovës ka prezantuar më 3 shtator Pakon e përballjes me inflacionin, përmes së cilës parashihet të ndahen nga 50 euro për punëtorët e sektorit publik deri në fund të këtij viti fiskal. Sindikatat nuk e kanë pranuar këtë vendim, duke thënë se greva do të vazhdojë deri në një zgjidhje tjetër.