Drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Podujevës, Pajtim Balaj, ka ushtruar padi ndaj këshilltarit komunal të PDK-së, Rafet Llapashtica.
Siç ka shkruar vetë Balaj në “Facebook”, padia është bërë për shkak se ai konsideron se Llapashtica në seancën e fundit ka shpifur kur ka thënë se më herët ka marrë subvencione nga Komuna.
“Duke e parë të domosdoshme ta mbroj emrin dhe dinjitetin tim dhe të babait tim, sot kam deponuar padi kundër shpifjes dhe fyerjes, të drejtuara ndaj meje nga njëri prej këshilltarëve të PDK-së, në seancën e fundit të Kuvendit që u mbajt një javë më parë. Në pamundësi të përballjes me argumente, është bërë praktikë që t'i sulesh kundërshtarit me sulme ‘ad hominem”, ka shkruar Pajtim Balaj në rrjetet sociale. “Unë besoj se koha kur njerëzit kanë fyer pa masë e pa bazë të tjerët, pa u përballuar me përgjegjësi publike duhet të marrë fund.
Unë shpresoj që Gjykata do të veprojë shpejt dhe me shpifësin do të përballemi në Gjykatë!
Atij që më ka akuzuar mua, i takon ta dëshmojë se cilin subvencion, kur dhe në çfarë vlere paska përfituar Pajtim Balaj”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Rafet Llapashticës, po ashtu në rrjete sociale. Ai ka shkruar se është i gatshëm që të ballafaqohet në Gjykatë me drejtorin Balaj.
“Nga paaftësia dhe mungesa e profesionalizmit për kryerjen e detyrës së drejtorit të Zhvillimit Ekonomik dhe tentimi i kalimit të draft-rregullores diferencuese ekonomike për punën e bizneseve në Komunën e Podujevës nga debati i seancës së fundit i paska dhimtë fortë drejtorit Pajtim Balajt si dhe demaskimi i tij dhe rrethit të tij në shërbim 20 vjeçar me LDK-në e plakur”, ka shkruar Rafe Llpashtica në “Facebook”.
Sipas tij, padia kundër tij është bërë për, siç ka thënë “me shpërla veten”.
“Pajtim jam i gatshëm për çdo ballafaqim dhe mos harro se qëndroj prapa deklarimit tim në Kuvend. Mos harro se nuk mundesh me u amnistu ju dhe rrethi juaj për gjendjen 20-vjeçare në Podujevë vetëm pse keni kaluar në majtist ose jeni shartuar. Të njoftoj prapë se demaskimi dhe qëndrimet e mia politike në kuvend dhe para çdo organi do të jenë të njëjta. Identiteti i njeriut nuk ndërrohet sipas apetiteve dhe interesave personale”, ka shkruar këshilltari i PDK-së.