Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Drejtori i shkollës “Ali Sokoli”: Mësimdhënësit me vullnetin e tyre kanë vazhduar procesin mësimor

Shkolla e mesme e mjekësisë “Ali Sokolli” në Prishtinë është një nga institucionet e vetme arsimore që sot ka zhvilluar procesin mësimor normalisht, pavarësisht se shumica e shkollave janë duke mbajtur grevë të thirrur nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

Drejtori i kësaj shkolle, Flamur Bujupi, ka thënë se mësimdhënësit me vullnetin e tyre të lirë kanë vendosur që procesi mësimor të vazhdojë normalisht.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bujupi ka thënë se mësimdhënësit mund të mblidhen prapë dhe të marrinë vendime të tjera, duke shtuar se kjo mbetet në përgjegjësinë e tyre.

“Të gjithë e dinë se pajtohemi me kushtet jo të favorshme të mësimdhënësve dhe normalisht që janë solidar me kolegët e tyre për këtë çështje. Por qëllimi i vetëm ka qenë që nxënësit të mos i lëmë pa shkollim përkundër që vet mund të dëmtohen”, ka thënë Bujupi.

Drejtori i kësaj shkolle tutje bëri me dije se sot do të merret një vendim përfundimtar se nëse procesi mësimor do të vazhdojë normalisht në "Ali Sokoli", në mbledhjen që mësimdhënësit do ta mbajnë në orën 13:00.

“U bëjë thirrje të dyja palëve të takohen, të konsultohen, të bëjnë zgjidhje sepse nuk është e mirë as për mësimdhënësit tanë e as për nxënës. Prandaj, ju lutem, që t’i lënë ato mëri që i kanë ose që mund t’i kenë dhe të vendosin në të mirën e nxënësve dhe mësimdhënësve”, shtoi ai.

Drejtoresha e Arsimit në Komunë e Prishtinës, Besjana Musmurati, ka thënë se mbi 95 për qind e shkollave në kryeqytet janë në grevë.