Arbëri

Drejtori i Kardiologjisë: Tendencat për njollosje me të pavërteta do të mbesin tentativë e mjerë

Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Lulzim Kamberi, ka thënë se tendenca për njollosje me, siç i ka cilësuar ai, dhjetëra shpifje dhe të pavërteta do të mbesin tentativë e mjerë, ndërsa i ka bërë thirrje organeve të rendit të hetojmë akuzat që iu bën nga një grup i kardiologëve që protestuan të premten.

Të premten kanë protestuar dhjetëra doktorë të Klinikës së Kardiologjisë, të cilët të premten kërkuan shkarkimin e menaxhementit aktual të klinikës. Në protestën njëorëshe, ata ekspozuan nëpërmjet pankartave, akuza për diskriminim gjinor, profesional e edukativ, për mbrojtje të dhunuesve nga menaxhmenti e për diskriminim të pacientëve nga lista e pritjes.

Por këto mohohen nga Kamberi.

“Tendenca për të më njollosur me dhjetëra shpifje dhe të pavërteta ( të afishuara) do të mbesin një tentativë e mjerë. Incitiviteti i tyre është sa i thjeshtë për t’u kuptuar aq edhe absurd. I thjeshtë sepse bëhet fjalë për humbje të privilegjeve dhe të mësuarit në parregullsi. Absurd, sepse këto tunel-mendësi rrezikojnë vlerat shoqërore. Shpreh lutje të madhe për institucionet e rendit, institucionet tjera, OJQ, e më gjërë që t’i hulumtojnë pretendimet e këtij grupi për diskriminimin gjinor dhe të tjera dhe në rast se provohet vetëm tentativë nga unë për këte unë jam i gatshëm të mbart përgjegjësitë morale, ligjore etj., njëkohësisht në rast se nuk provohet një gjë e tillë kërkoj përgjegjesi për njollosësit dhe shpifësit imagjinativ. Kërkesa e këtij grupi për ta “suspenduar dhunuesin dhe menaxhmentin që mbron dhunuesin”, është kërkesë mbi ligjin sepse organet ligjore kanë thënë fjalën e tyre”, thuhet në reagimin e tij ndër të tjera.

KOHA ka provuar gjatë ditës së djeshme të kontaktojë me kardiologun Kamberi. Në reagimin e sotëm, ai ka thënë se ka qenë në një vizitë në Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe këtë ua ka treguar edhe gazetarëve të cilët kanë kërkuar prononcim nga ai.