Drejtoresha në largim e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala ka folur për premtimin e ndërtimit të katër shkollave në kryeqytet.
Ajo ka thënë se është nënshkruar kontratat për ndërtimin e tri shkollave, në Veternik, Mat dhe Sofali. Por, sipas saj, për shkak të disa studimeve të dheut, shkolla në Dragodan nuk ka ndonjë afat se kur do të bëhet, pasi thotë se varet nga rezultatet e studimit.
“Ne e kemi marrë të trashëguar një shkollë në lagjen ‘Kalabria’, tashmë jemi duke e bërë adaptimin e objektit dhe shumë shpejtë do të sqarohen disa situata pasi në oborrin e shkollës janë të ndërtuara dy shtëpi”, ka thënë ajo.
Ajo në emisionin "038" ka thënë se ka kaluar procedurat e prokurimit edhe shkolla e mesme teknike “7 shtatori” për hotelieri dhe turizëm, për të cilën thotë se kompania e cila e ka fituar tenderin është tërhequr për shkak të rritjes së çmimit të produkteve të ndërtimit, porse do të hapet edhe një tender”, ka thënë ajo derisa ka folur edhe për projekte tjera të ndërtimit të shkollave.
Shala ka thënë se me ndërtimin e shkollave edhe numri i madh i nxënësve nëpër klasa do të zvogëlohet.
Edhe
Shahini: Prioritet e kam arsimin, duhet të ndërtohen mbi 10 shkolla
Ajo ka thënë se kanë bërë kërkesë për ndërtimin e një shkolle në pjesën e Prishtinës së Re.
“Ne kemi zhvilluar disa aktivitete me asociacionin e drejtorëve, me të cilët shumë shpesh zhvillojmë aktivitete nëpër shkolla. Gjithashtu janë bërë trajnime për vlerësimin e brendshëm të shkollave të Prishtinës dhe të gjitha e kanë kaluar këtë vlerësim. Ne me institutin pedagogjik do të organizojmë një trajnim këtë të shtunë i cili ka të bëjë më cilësinë”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se nuk ka probleme të theksuara në infrastrukturën e shkollave. Ndërkaq për pastërtinë ajo ka thënë se është vlerësuar pastërtia në objektet shkollore.
Sipas saj gjatë kësaj kohe janë punësuar mbi 40 punëtorë teknikë për të mbajtur pastërtinë në objektet shkollore.
Shala ka thënë se ka pasur renovime pothuajse në të gjitha shkollat, aq sa ka pasur buxhet të destinuar për këtë problematikë.
Edhe
Premtimet e parealizuara të komunave në arsim
“Tashmë pothuajse 60 për qind e shkollave të Prishtinës janë të përfshira në sistemin e internetit. Ne si komunë kemi siguruar rreth 500 pajisje teknologjike për nxënës që nuk kanë pasur mjete financiare për t’i blerë gjatë kohës kur po mbanin mësimin online”, ka thënë ajo.
Lidhur me sigurinë në shkolla ajo ka thënë se kanë bashkëpunim të mirë me Policinë e Kosovës. Ajo ka thënë se shumë shpesh me drejtorët e shkollave janë koordinuar për raste specifike të problemeve specifike të nxënësve.
Ndërkaq për mospranimin e drejtoreshës nga mësimdhënësit në gjimnazin “Sami Frashëri”, ajo ka thënë se mësimdhënësit nuk janë përzgjedhës të drejtorëve. Sipas saj, konkursi ka qenë publik.
Sipas saj, konkurrentë për këtë pozitë kanë qenë edhe dy profesorë të kësaj shkolle, porse të njëjtit nuk kanë shkuar në intervistë.
Edhe
Komuna e Prishtinës synon ta dyfishojë numrin e shkollave me mësim tërëditor vitin e ardhshëm
“Përderisa ministrja e Arsimit ka qenë në shkollë dhe ka biseduar me mësimdhënësit atëherë orët do të zëvendësohen. Dëmi është shumë i madh që u është shkaktuar nxënësve. Mësimdhënësit nuk janë kompetentë për të treguar se a ka qenë i ligjshëm konkursi për drejtor në këtë shkollë”, ka thënë ajo.