Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

D+ kërkon zgjatjen e afatit për konsultim të Projektligjit për Konfiskim të Pasurisë

Sistemi i drejtësisë

Demokraci Plus po kërkon nga Ministria e Drejtësisë ta zgjasë afatin për konsultime me publikun për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Përmes një komunikate për media, D+ thotë se MD-ja jashtëligjshëm e ka shkurtuar këtë afat.

“Ministria e Drejtësisë ka vendosur në platformën e konsultimeve publike “Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, dhe për pranimin e konsultimeve me shkrim ka përcaktuar afatin prej vetëm 11 ditë kalendarike ndërsa llogaritur si ditë punë janë vetëm shtatë 7 ditë, nga data 10 dhjetor deri më 20 dhjetor 2021. Vendosja e një afati kaq të shkurtër për pranimin e komenteve me shkrim nga publiku për një projektligj kaq të rëndësishëm, është në kundërshtim me Rregulloren e Qeverisë nr. 05/2016 për standardet minimale për procesin e konsultimit publik (Neni 9, pika 1.1), ku përcaktohet se organi propozues i projektligjit (në këtë rast Ministria e Drejtësisë), duhet t’i mundësojë publikut kohë të mjaftueshme për komente, jo më pak se pesëmbëdhjetë (15) ditë pune që nga data e njoftimit për hapjen e konsultimit me shkrim”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, shkurtimi i afatit për konsultim me publikun për këtë projektligj në 7 ditë pune nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, përveçse është në kundërshtim me Rregulloren e Qeverisë, minon besimin e publikut në gjithë procesin e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

“Për më shumë, duke pasur parasysh se projektligji në fjalë mbulon një çështje komplekse dhe të rëndësishme e cila po ashtu nuk është rregulluar më herët në Kosovë, projektligji është dashur të lihet për konsultime publike të paktën për pesëmbëdhjetë (15) ditë pune”, thuhet në njoftim.