Drejtorët, zëvendësdrejtorët dhe anëtarët e bordeve ose funksione ekuivalente në organizata ndërkombëtare janë pjesë e listës së zyrtarëve që mund t’i nënshtrohet ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Me Ligjin e ri, Qeveria Kurti synon themelimin e një Byroje Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme. Kjo Byro do të bëjë kërkesë për konfiskim të pasurisë në Gjykatë. Në llupë të saj do të jenë të gjithë zyrtarët publikë dhe ata të ekspozuar politikisht, tek e cila kategori do të hyjnë edhe ata me funksione në organizata ndërkombëtare në vend. Persona zyrtarë që mund t’i nënshtrohen këtij ligji janë ata që kryejnë punë zyrtare në organe shtetërore, personat e zgjedhur në institucione dhe ata ushtarakë.
Projektligji për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme, që është në konsultim publik, do të shkojë deri në fund të vitit për miratim në Qeveri e më pas do t’i dërgohet Kuvendit, u shpreh ditë më parë zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu. Formimin e byrosë Sallahu e pati arsyetuar me mungesën e linjës së ndjekjes së pasurisë së pajustifikueshme.
Barra e provës për të dëshmuar se pasuria është e justifikueshme i mbetet palës së dyshuar.
Konfiskimi do të bëhet në procedurë civile. Pra me këtë ligj s’do të ketë dënime për zyrtarët, veçse pasuria e pajustifikueshme mund të konfiskohet.
Ligji do të zbatohet ndaj pasurisë së fituar përgjatë periudhës së ushtrimit të funksionit nga data e pavarësisë së Kosovës, 17 shkurti 2008, dhe brenda 10 vjetësh që kur subjektet pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.
“Është linjë e re që dallon nga Ligji për kompetenca të zgjeruara për konfiskim të pasurisë, ku duhet të dënohet personi e pastaj fillon konfiskimi. Ky ligj e ndjek pasurinë e personave zyrtarë. Korrupsioni është i koncentruar te niveli i lartë i pushtetit. Këtu do të goditet. S’ka nevojë të ngrihet aktakuzë, bëhet propozimi, dërgohet në gjykatë...”, pati deklaruar Sallahu. “Në momentin që propozon Byroja që një pasuri e një personi zyrtar ka shpërputhje mes të hyrave dhe pasurisë së bërë, gjykohet në gjykatë. Prova për të vërtetuar se shpërputhja nuk ekziston kalon te personi ndaj të cilit duhet të verifikohet pasuria. Duhet të dëshmojë me dokumente përputhjen. Nëse s’vërtetohet me dokumente, gjykata ka të drejtë me aktgjykim të konfiskojë pasurinë, duke ia kthyer pronarit legjitim, shtetit të Kosovës”.
Nga drafti i publikuar është mësuar se në listën e zyrtarëve do të jenë edhe ata me funksione në organizata ndërkombëtare.
Po ashtu është bërë e ditur se si procedurë në Byro, nëse vërehet se s’ka shpërputhje mes të hyrave dhe pasurisë dhe ajo s’tejkalon vlerën 25 mijë euro, propozohet mbyllja e rastit. Ndërsa nëse tejkalohet ajo vlerë, propozohet dërgimi i çështjes në Gjykatë për konfiskim.