Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dorëzohet aktakuza e përbashkët ndaj Januzit, Bahtijarit e Shalës

Prokuroria e Specializuar ka dorëzuar aktakuzën e përbashkët në rastin ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës, ka njoftuar Zyra e Prokurorit Special të premten.

Më 13 dhjetor, ZPS-ja pati paraqitur kërkesë për bashkimin e çështjeve gjyqësore në një gjykim të vetëm. Gjyqtari i procedurës paraprake pati urdhëruar Prokurorinë që ta dorëzonte aktakuzën deri më 12 janar.

Deri më tash Shala në njërën anë dhe Januzi e Bahtijari në anë tjetër, ishin në procese të ndara gjyqësore. Ata akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar e akuzon Shalën se ndërmjet 5 prillit dhe 12 prillit 2023 ka ndërmarrë veprime të ndryshme, shpesh në bashkëkryerje me të akuzuarit Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, “ku përmes frikësimit apo ofrimit të shpërblimit e kanë nxitur dëshmitarin 1 të tërhiqet nga dëshmia apo të gënjejë gjatë dëshmisë së tij në Speciale”.

Aktakuza e ZPS-së kundër Sabit Januzit e Ismet Bahtjarit dhe ajo kundër Haxhi Shalës janë thuajse identike. Ata akuzohen për vepra penale në periudhën e njëjtë, duke u thirrur në nenet e njëjta të Kodit Penal të Kosovës dhe në masë të madhe për vepra penale të kryera si grup.