Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aktakuza e përbashkët ndaj Januzit, Bahtijarit e Shalës do të dorëzohet në janar

Aktakuza e përbashkët në rastin në Dhomat e Specializuara ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës do të dorëzohet deri më 12 janar të vitit të ardhshëm.

Gjatë konferencës për ecurinë e çështjes gjyqësore të Januzit dhe Bahtijarit, gjykatësi i procedurës paraprake Nicolas Guillou, ka urdhëruar Prokurorinë që të dorëzojë aktakuzën e përbashkët deri më 12 janar.

ZPS-ja më 13 dhjetor kishte paraqitur kërkesë për bashkimin e çështjeve gjyqësore kundër Januzit, Bahtijarit dhe Shalës në një gjykim të vetëm.

Deri më tash Shala në njërën anë dhe Januzi e Bahtijari në anë tjetër, ishin në procese të ndara gjyqësore. Ata akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar e akuzon Shalën se ndërmjet 5 prillit dhe 12 prillit 2023 ka ndërmarrë veprime të ndryshme, shpesh në bashkëkryerje me të akuzuarit Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, ku përmes frikësimit apo ofrimit të shpërblimit e kanë nxitur dëshmitarin 1 të tërhiqet nga dëshmia apo të gënjejë gjatë dëshmisë së tij në Speciale.

Aktakuza e ZPS-së kundër Sabit Januzit e Ismet Bahtjarit dhe ajo kundër Haxhi Shalës janë thuajse identike. Ata akuzohen për vepra penale në periudhën e njëjtë, duke u thirrur në nenet e njëjta të Kodit Penal të Kosovës dhe në masë të madhe për vepra penale të kryera si grup.

Në versionin publik të aktakuzës kundër Januzit dhe Bahtjarit Shala quhet “bashkëkryerësi 1”. Megjithatë përgjegjësi më e madhe i atribuohet ish-deputetit si udhëheqës i grupit. Atributet e udhëheqjes së veprimeve për tërheqjen e dëshmitarit nga dëshmia e tij nuk i atribuohen Januzit dhe Bahtjarit.

Artikuj të ngjashëm