Arbëri

Dorëzohen 80 kallëzime penale për krime lufte, një për dhunë seksuale

Shoqata për krimet e kuftës “Gjakova 98-99”, ka dorëzuar kontingjentin e 15-të të kallëzimeve penale për krimet e kriminelëve serbë gjatë luftës në Kosovë. Ky kontingjent kishte 80 kallëzime penale mes tyre një kallëzim penal për dhunë seksuale. Deri më tash kjo shoqatë ka dorëzuar në organet e drejtësisë mbi 3.500 kallëzime penale

Departamentit për krime të luftës në Policinë e Kosovës i janë shtuar të premten edhe 80 kallëzime penale. Në mesin e këtyre kallëzimeve është dorëzuar edhe një padi të cilën e ka ngritur një viktimë grua kundër tre serbëve për ushtrim të dhunës seksuale ndaj saj gjatë kohës së luftës. Kallëzimet penale janë kryesisht për krimet që janë kryer në Komunën e Gjakovës dhe të Rahovecit.

Shkëndije Hoda, kryetare e Shoqatës për krimet e luftës “Gjakova 98-99”, thotë se ky është kontingjenti i 15-të me kallëzime penale, të cilat ia kanë dorëzuar organeve të drejtësisë.

“Kësaj here kemi sjellë 80 lëndë, pra 80 kallëzime penale që kanë të bëjnë me vrasje, tortura dhe dëme materiale të shkaktuara gjatë kohës së luftës. Është një prioritet për Shoqatën, por është edhe një shtytje për gratë e tjera që përmes shoqatës kemi edhe një padi, ku një viktimë e dhunës seksuale e cila ka ngritur një kallëzim penal ndaj tre kriminelëve të cilët i ka njohur dhe identifikuar në zyrën tonë”, ka thënë ajo.

Që nga 2018 e deri më tash, kjo shoqatë ka ngritur mbi 3.500 kallëzime penale për krime lufte. Deri më tani, ata thonë se i kanë ofruar prova të mjaftueshme policisë e hetuesisë për kriminelët e luftës, duke iu bashkangjitur gjithashtu edhe fotografi të tyre për t’ia mundësuar policisë identifikimin sa më të lehtë të tyre.

“Ne që nga viti 2018 i sjellim kallëzimet penale, pra ka kaluar shifrën prej 3.500 lëndëve dhe është e natyrshme që një lëndë merr kohë, për shkak se nëse identifikohet krimineli, ne mundohemi të gjejmë ndonjë fotografi të tij duke barazuar me kohën atëherë se si ka qenë atëherë dhe si duhet tani për t’ia lehtësuar punën edhe Policisë”, ka thënë Hoda.

Ata theksojnë se do t’u qëndrojnë pranë edhe dëshmitarëve në të gjitha proceset gjyqësore. Ndonëse gjykimi i krimeve të luftës në Kosovë ka parë krejtësisht pak përparim, megjithatë në këtë shoqatë vazhdojnë të shprehen optimistë se krimet do të zbardhen.

Për mbi 13 mijë viktima të luftës, në Kosovë janë dënuar vetëm rreth 50 persona. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, gjithsej nga gjykimet në Kosovë, gjykimet në Serbi, në Tribunalin e Hagës dhe tash në Gjykatën Speciale në total janë akuzuar 213 persona, por vetëm 71 janë dënuar dhe 50 për qind e të dënuarve janë shqiptarë. Përveç ngecjes në gjykimin e krimeve të luftës, 23 vjet pas, Kosova ka stagnuar edhe në mbledhjen e provave dhe fakteve të nevojshme për dokumentimin e krimeve të kryera. Mungon edhe një institucion i specializuar, ndonëse siç ka njoftuar Qeveria, gjatë vitit 2022 do ta hartojë projektligjin për Institutin për Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.