Arbëri

Donacioni i pashfrytëzueshëm

Donacioni në vlerë prej 100 mijë eurosh, të cilin Shërbimi Spitalor Klinik Universitar e pranoi në muajin maj të këtij viti, ka mbetur i pashfrytëzuar plotësisht.

Në njoftimin e SHSKUK-së, të bërë gjashtë muaj më parë, shkruhet se shteti zviceran u kishte ofruar si donacion dy gastroskopë dhe dy kolonoskopë të rinj, ndonëse nuk ishte specifikuar se kush nga shteti zviceran i solli ato.

Por, në një raport të Sektorit të Mirëmbajtjes së Pajisjeve Mjekësore, të cilin e ka siguruar KOHA, thuhet se aparaturat e pranuara kanë shumë defekte dhe si të tilla një pjesë e tyre vështirë që mund të përdoren.

“Është konstatuar se pajisja mjekësore: ERBF APC ELECTROSURGICAL Unit me numër serik B-1255 nuk është funksionale, po ashtu i mungojnë të gjithë aksesorët (pjesët përcjellëse- elektrodat, bombola për Argon, instrumentet për Argon, manuali i përdorimit dhe servisimi)”, thuhet në raport.

Probleme ka edhe një aparaturë tjetër.

“Është konstatuar se pajisja mjekësore ERBE IÇ 200 ELECTROSURGICAL Unit është funksionale, por i mungojnë të gjithë aksesorët për të hyrë në punë”, thuhet tutje në raport.

Telashe ka edhe në shfrytëzimin e aparaturave të gastroskopisë dhe kolonoskopisë, pajisje këto kryesore që janë pranuar si donacion.

“Sipas informatave nga përfaqësuesi i OLYPMUSIT në Prishtinë, ky model i Gastroskopit dhe Kolonoskopit veç qe një kohë nuk prodhohet më”, thuhet në raport.

Në SHSKUK nuk kanë dhënë detaje se si është pranuar ky donacion, pasi për një gjë të tillë duhet të plotësohen disa kritere bazike. Por, kanë dhënë përgjigje për shfrytëzueshmërinë e këtij donacioni

“Në rastin e Klinikës së Gastroenterologjisë, donatori ka ofruar 2 gastroskopë me shtyllë, 2 kollonoskopë, ultrazërin, të cilët aktualisht janë në përdorim -funksional.

Ndërkaq, për dy pajisje të tjera, është konstatuar nga sektori i pajisjeve mjekësore se mungojnë pjesët aksesore, dhe si të tilla, do të funksionalizohen pas blerjes se pjesëve përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim në SHSKUK.

Ndonëse ky institucion thotë që një pjesë e pajisjeve po shfrytëzohet, raporti i SHSKUK-së, të cilin e ka KOHA, flet se janë shfaqur probleme edhe te këto pajisje, pesë muaj pas fillimit të përdorimit.

Në SHSKUK ka kërkesa të mëdha për procedurën e gastroskopisë dhe kolonoskopisë, e shpeshherë për shërbime të tilla ka edhe lista të pritjes.