I diplomuar në Universitetin e Prishtinës, me magjistraturë të Universitetit të Zagrebit dhe me doktoratë në antropologji nga Shqipëria, Safet Nishefci, i pari doktor i këtij lëmi në Kosovë, asnjëherë nuk ka arritur që të bëhet pjesë si profesor në Universitetin e Prishtinës
Mendja dikur i thoshte që një ditë studimet postdiplomike t’i ndiqte për paleontologjinë, shkencën që i studion kafshët e bimët në kohë të lashtë. Por ishte një ish-profesor i tiji në Universitetin e Prishtinës, ai që ia ndërroi mendimin, kur ia sugjeroi studimin e veçorive të njeriut, lëmin e antropologjisë.
Në këtë mënyrë, Safet Nishefci nga Podujeva edhe do të bëhej antropologu i parë i doktoruar në Kosovë.
Porse rruga e tij gjer këtu nuk ishte aspak e lehtë.
Shkolla fillore në fshatin e tij të lindjes, Ballofc i Podujevës, kishte vetëm katër klasë shkollim. Andaj, për të vazhduar duhej të rrugëtonte deri në fshatin fqinj, Sfeçël. Edhe aty, mësimet mund t’i ndiqte vetëm deri në klasë të pestë e të gjashtë, përderisa dy të tjerat dhe Gjimnazin në Podujevë. Derisa po i afrohej përfundimit të Gjimnazit, dilema rreth përzgjedhjes së profesionit jetësor po i shtohej. Dëshirë e familjes së tij ishte që të studionte për mjekësi. Porse, Nishefci, tash shtatëdhjetëvjeçar, e shihte punë të rëndë ballafaqimin e përditshëm me njerëz të sëmurë. Për këtë arsye syrin ia kishte vënë biologjisë.
“I mundëm” studentët e Beogradit
Në vitin 1970, Universiteti i Prishtinës kishte ende vetëm pak jetë të ekzistimit dhe nuk kishte mjaftueshëm profesorë për secilën lëndë. Boshllëkun e mbushnin profesorët nga Tirana dhe Beogradi.
Nishefci rrëfen për KOHËN sesi ai, bashkë me disa studentë të tjerë të Prishtinës, ishin detyruar të udhëtonin deri në Beograd vetëm për një provim.
“Më kujtohet se bashkë me 7 a 8 studentë të tjerë, disa prej tyre serbë, për një provim kemi shkuar në Universitetin e Beogradit. Sepse provimi duhej të mbahej, e ishin vitet ‘72-‘73. Ne e kishim përgatitur provimin e anatomisë, që për herë të parë në Universitetin e Prishtinës është mbajtur në gjeneratën tonë. Kur kanë qenë marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Kosovës, erdhi profesori i anatomisë dhe biokimisë nga Universiteti i Tiranës”, rrëfen Nishefci ngjarjen e para afro 50 vjetësh. Meqenëse studentët ishin përgatitur për lëndën e anatomisë, ata i kishin kërkuar profesoreshës së Universitetit të Beogradit që t’ua shtynte provimin.
“Ajo pranoi, por me kusht që të shkojmë në Beograd për provim... Ishte qershori dhe tha se ‘nëse mund të vini në korrik, me gjithë qejf ju pyes’. Shkuam dhe më kujtohet se ne dy shqiptarët që ishim, të dy morëm dhjetëshe, të tjerët kuptohet nota të tjera. Aty ishte kërshëria jonë e madhe që të shohim si dhe sa dinë studentët e Beogradit. Kështu që ne e pamë se jemi më të fortë sesa studentët e Beogradit në atë kohë, sepse punonim më shumë”, tregon doktori i antropologjisë.
Ishte viti 1974 kur Nishefci e merr diplomën universitare. Dhe pas kësaj do kthehej në vendet ku i kishte ndjekur mësimet, porse kësaj radhe si mësimdhënës.
Për dy vjet punoi në fshatin Sfeçël, më pas në Gjimnazin e Podujevës, krejt derisa me reformën për arsim në ish-Jugosllavi shkollat e mesme do të quheshin Qendra Shkollore. Në kuadër të kësaj reforme, dy vjetët e parë ishin shkollim në drejtimin e përgjithshëm, e dy të tjerët për profilizim.
Katër vjet para luftës së fundit, Nishefci punoi si këshilltar pedagogjik për biologji në sistemin paralel të Komunës së Podujevës.
“Ishte një përvojë mjaft e mirë për të parë nivelin përgatitor të arsimtarëve dhe mënyrën e punës që ata e bënin. Sepse ne kemi pasur rastin t’i inspektonim orët te të gjithë profesorët e biologjisë në Komunën e Podujevës. Do të sugjeroja edhe tani të ketë njerëz që e vazhdojnë këtë procedurë për të parë punën që bëhet në arsim dhe kështu mendoj se ngrihet niveli i punës nëpër shkolla”, thotë ai.

Studime me “pushim mjekësor”
Kur flet për të shkruarën ai thotë se e ka bindjen që më herët punohej me entuziazëm më të madh, ani se për një kohë mësimdhënësit nuk e merrnin asnjë qindarkë, derisa filloi që të mblidhej 3-përqindëshi.
Por atë e mbante dëshira për dije. Mendonte që të regjistronte edhe magjistraturën. I duhej një rekomandim për të vijuar studimet në Zagreb. Ishte pikërisht kjo kohë kur profesori Dervish Rozhaja i tha se vendit i duhej “shkenca e së ardhmes”- antropologjia.
“Kur shkova në Institutin e Antropologjisë në Zagreb, iu thashë se jam i interesuar për këtë-këtë dhe aty ishte një profesor i njohur, Pavao Rudan, i cili më pyeti: ‘Nga jeni?’. I thashë nga Kosova. Tha, ‘paraardhësit tu dhe të mitë janë ilirët, a u kuptuam?’. I thashë po. Tha ‘unë jam dalmatin’. Dhe më vonë, gjatë thellimit në shkencën e antropologjisë, pashë se profesori ka pasur plotësisht të drejtë kur më tha se paraardhësit tanë edhe të pjesës së Dalmacisë janë ilirët. Sepse trojet ilire shtrihen shumë më gjatë. Areali i shtrirjes së tyre ka qenë shumë-shumë më i madh, por të tjerët e kanë ngushtuar”, shprehet profesor Nishefci. “Pasi regjistrova magjistraturën atje, kemi qenë vetëm 4 studentë në antropologji. Prej Kosovës isha vetëm unë. Dy studente ishin mjeke nga Zagrebi, por që nuk ishin duke punuar dhe ato nuk donin të shkonin jashtë Zagrebit, prandaj kishin filluar të studionin antropologjinë. Ishte edhe një studente nga Baltimori i Amerikës, Margaret Birxh, e quanim Pegi”.
Shkuarja në Zagreb e kishte edhe koston e vet. Asokohe, Komuna e Podujevës nuk u kishte dalë krah nxënësve e mësimdhënësit të saj. Përveç që nuk u jepte bursa, Nishefci thotë se nuk ua ruante as vendet e punës.
Për studime, ai e kishte mbështetjen financiare të katër vëllezërve, porse për të mos e humbur vendin e punës detyrohej që të merrte pushim mjekësor sa herë që kishte ligjërata e provime në kryeqytetin kroat. E që kjo praktikë të mos i teprohej, ai thotë se profesorët shpesh ia dërgonin materialin mësimor me postë për të mos marrë udhë.
“Provimet nuk kanë qenë nëpër fakultete, por nëpër institucione, nëpër spitale. As ligjëratat nuk i kemi pasur në fakultet. Të ka thirrur profesori, se ka pasur një larmi e madhe e lëndëve. Po e marrim neuropsikiatrinë, profesori na ka thirrur, ‘ejani në ligjëratë në këtë ditë, në këtë orë, në spital’. Kemi shkuar dhe nuk ka qenë si tash interneti, por ligjëratat ai t’i ka sjellë të shtypura. Ka shpjeguar, por ligjëratën e ke pasur të shtypur”, i shpalos shtatëdhjetëvjeçari përjetimet e tij studentore.
Dukagjini kroat
Meqenëse ishte nga Kosova, pyetjet e para që profesorët ia shtronin Nishefcit thotë se kishin të bënin me rrugëtimin e tij deri në Zagreb. Atëkohë, mjeti i vetëm i qarkullimit ishte një tren që quhej “Akropolis” e që nisej nga Greqia, kalonte nëpër Beograd, Zagreb, Lubjanë, Austri dhe në fund në Gjermani.
“Një herë isha për tri provime dhe u ktheva në Institut, aty e pashë këtë profesorin e antropologjisë, Pavao Rudan. Më pyeti për notat dhe pasi ia tregova më ftoi në banesë. U çudita! Kur shkuam, e pashë që e kishte një djalë të vogël 3-4 vjeç. Po luante me të edhe po e thërret Dugi-Dugi. Po i them, profesor si quhet? Më tha Dukagjin. Edhe sot e kam enigmë, a vërtet e ka pasur emrin Dukagjin apo jo. Por, meqë më tha në fillim atëherë kur u regjistrova se paraardhësit e mi dhe të tutë janë ilirët, mendoj se vërtet e ka pasur emrin Dukagjin”, shprehet ai.
Me të këtilla përjetime, Nishefci arrin që ta përmbyllë me sukses kaptinën e magjistraturës dhe nis rrugëtimin e doktoratës. Në fillim gjithçka i shkonte “vaj”, ama shpërbërja e Jugosllavisë ia komplikoi hesapet.
“Doktorata ka zgjatur, sepse derisa e kam bërë gati punimin dhe e kam dorëzuar, ata e shpallën pavarësinë (1992). Ka qenë periudha kur Jugosllavia ishte e izoluar nga e gjithë bota dhe nuk mund të telefonoje askund. Më kujtohet që kam shkuar në Tetovë për ta telefonuar profesorin. E pyeta se çfarë duhej të bëja, e ai më tha se duhej pagur ngase më nuk isha student i tyri. Shuma që ma thanë njerëzit jozyrtarisht ishte 4 mijë dollarë. Asokohe e dini që ne 10 marka nuk i kishim. Kështu që mbeta”, tregon ai.
Kësisoj, opsion i ngeli Shqipëria. Por as aty nuk kishte kuadra për antropologjinë dhe për më tepër kishte edhe neglizhencë. Mirëpo, pas shumë peripecish, ai më në fund arrin që ta marrë doktoratën më 29 shtator 2002, me goxha shumë vonesë.
Doktori që nuk u pranua në UP
Ani se ishte i pari doktor i antropologjisë në Kosovë, Nishefci tregon se asnjëherë nuk arriti që të bëhej pjesë e Universitetit të Prishtinës. Në dy konkurset e shpallura pas luftës, në UP thotë të ishin pranuar persona që nuk ishin antropologë.
Kësisoj, Muzeu i Kosovës iu bë “strehë” krejt deri në pensionim, më 2016.
“Ishte menjëherë pas luftës dhe kam filluar me rregullimin e oborrit. Në sektorin e natyrës, të themeluar më 1951, kishin punuar gjithherë kryesisht vetëm serbë. Shqiptarë nuk kishte pasur derisa kam shkuar unë. Puna e parë që më është dashur të bëja ishte që krejt ato shkrime rreth eksponateve që ishin në serbishte t’i eliminoja. Fillova pastaj me determinimet e tyre në latinishte, gjuhë shkencore që e njeh krejt bota. E pastaj, kur erdhi koha për emërtime në shqipe nuk kishim terma për shumë eksponate”, tregon ai për përvojën në Muzeun e Kosovës. “Kishte diku mbi 500 lloje shpendësh dhe ne nuk kishim emra në gjuhën shqipe. Dhe e luta drejtorin e Muzeut, i cili pa hamendje më tha që të shkoja në Shqipëri. I nxori paratë prej xhepi dhe tha shko. Dhe shkova, i mora emërtimet në shqipe, erdha i vura pranë secilit eksponat dhe fillova t’i thërras shkollat. Shkollën e parë që e kemi thirrur ishte ‘Elena Gjika’. Pastaj s’kemi pasur nevojë t’i thërrasim shkollat e tjera, sepse vetë na kërkonin”.
Nifsheci tregon se bashkë me disa profesorë të tjerë kanë përgatitur edhe një libër mbi florën e faunën në Kosovë, porse as ai kurrë nuk është botuar.
Tani ky doktor i antropologjisë thotë se shkenca i ka mundësuar që ta kuptojë më mirë dhe më drejt origjinën e njeriut. Porse shprehet që kjo shkencë ende nuk ka arritur që t’i japë përgjigje pyetjes për mendësinë shkatërruese të një pjese të njerëzve.